Në 12 javët e zhvilluara të kampionatit ekipi i Vllaznisë ka treguar se ka vuajtur pikërisht në 20 minutat e fundit të takimit.

Kjo duke përjashtuar disi dy ndeshjet e fundit. Deri dy javë më parë, fundi i takimit tregonte për një Vllazni të shthurur, sepse disa prej golave të pësuar deri më tani kanë ndodhur në 20-minutat e fundit.

Nuk kanë qenë pak, por katër të tillë, që kanë sjellë që Vllaznia të humbasë jo pak pikë. Skuadra transformohej tërësisht në fund, duke lënë shumë hapësira dhe duke i dhënë mundësinë kundërshtarëve që ta kenë më të lehtë të shkojnë në rrugën e rrjetës.

Një defekt që duhet riparuar medoemos kur ekipi të dalë në fushë pas pushimeve, pasi në të kundërt do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë te vendi i parë.

Në total, Vllaznia gjatë pjesës së parë ka shënuar shtatë herë, ndërsa në të dytën pesë, duke qenë pak a shumë e balancuar. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për rrjetat e pësuara, teksa në të parën ka pësuar tre gola, ndërsa në fraksionin e dytë plot nëntë të tillë.

Nga ana tjetër, Vllaznia duket se është më efikase në pjesën e parë. Shkodranët e nisin mirë ndeshjen, teksa nga 12 gola të shënuar, shtatë të tillë janë realizuar në 45-minutëshin e parë.

Ndërkohë, po në pjesën e parë kanë pësuar vetëm tre gola. Sa i përket pjesës së dytë, shkodranët kanë shënuar pesë herë dhe kanë pësuar plot nëntë gola, duke mos qenë shumë të balancuar në këtë aspekt. Problem fizik apo problem psikologjik, kjo ende nuk është evidentuar apo paraqitur as nga vetë Josa.