Andin Lokaj ka shkaktuar zemërim të madh me postimin e kryer pas përfundimit të ndeshjes Kosovë U21-Shqipëri U21, që u fitua 2-1 me përmbysje nga skuadra dardane.

“Parameno mos me pas fitu sonte kundër ktynve që kur kemi lujt na kosovart TOP, ata në stadion veq ushtar të tupit trunin të Enverit i kan pas në tribina. Harrova qi edhe peshqit me TURBI i patën kqyr”, ishin fjalët e zgjedhura nga komentatori i RTK-së.

Një status i turpshëm që ka sjellë reagimin e shumë figurave të sportit mbarëshqiptar. “Klloun” e cilësoi Lorik Cana, teksa “Plisat”, tifogrupi që mbështet Prishtinën dhe kombëtaren kuqezi, e kanë shpallur të padëshiruar në Prishtinë.

Tani vjen edhe reagimi i Ngadhnjim Kastratit, drejtorit të RTK-së, i cili paralajmëron masa ndaj komentatorit sportiv.

Me anë të një postimi në Facebook, Kastrati deklaron se RTK do të veprojë në përputhje me Standardet Profesionale të RTK-së dhe Rregullores për Përgjegjësitë materiale dhe disiplinore.

“Lidhur me rastin e deklarimeve publike të komentatorit Andin Lokaj, RTK njofton se do të veprojë në përputhje me Standardet Profesionale të RTK-së dhe Rregullores për Përgjegjësitë materiale dhe disiplinore.

Po ashtu ju bëj me dije se kanë filluar procedurat në lidhje me këtë rast!”, shkruan Kastrati në rrjetet sociale, në lidhje me deklaratën e panevojshme të Andin Lokajt.