Kastrioti i Emiljano Çelës, e mbylli në barazim 2-2 duelin e kthimit të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, duke i dhënë fund kështu aventurës në këtë kompeticion. Pavarësisht se në disavantazh të dy golave dhe më një lojtar më pak, skuadra krutane arriti të reagonte mirë duke shënuar 2 herë. Në lidhje me këtë duel foli dhe trajneri i Kastriotit, Çela, që në prononcimin për mikrofonin e “Oversport” ndër të tjera deklaroi:

“U munduam ta shfrytëzonim ndeshjen sot për sfidën ndaj Partizanit. Ishim shumë të fokusuar te elementët që zgjodhëm për të na përfaqësuar. Mora sinjale të mira nga Ajazi, Çela. U munduam ti jepnim minuta Kamarasë, Bejzades, Sulkjas. Na duhen edhe ndeshjet e kampionatit. Diçka është shumë e rëndësishme për ne, që kemi filluar gjatë stërvitjes, që të luajmë në inferioritet numerik. Do mundohemi të bëjmë më të mirën.

E kam punuar këtë rreshtim, ka disa ditë që po e punoj. Mund të jetë në ndeshje të veçanta që mund ta zgjidhim këtë lloj varianti, sidomos në ndeshjet brenda ku do të kërkojmë patjetër fitoren. Duhet të kemi më shumë gjerësi dhe më shumë forca.

Patjetër që skuadra më bindi më shumë sot, pavarësisht se kundërshtari e kishte qëllimin më të vogël. E kishin siguruar kualifikimin, nuk ishin agresiv. 30 minutat e para në ndeshjen e parë i realizuam në mënyrë perfekte. 4-4-2 mund të na interesojë në momente të veçanta. Ato që më shqetësojnë më shumë janë kartonët, që na i prishin të gjithë atë çfarë ne punojmë. Në inferioritet numerik je i detyruar të luash në varësi të kundërshtarit. Më e rëndësishme është që në stërvitje luajmë në inferioritet numerik që të mësohemi.

Në qoftë se shohim me vëmendje, lojtarët këtu janë shumë afër opinionit, patjetër që ata rëndohen, më shumë të vret opinioni. Përçohet te shumë faktorë të tjerë që ndikojnë te grupi. Statusin e bëra për t’i dhënë zemër ekipit tim. Duam të marrim atë që meritojmë, asgjë më tepër. Në qoftë se e meritojmë të biem atëherë ok”, deklaroi Çela.