Në pjesën e parë të sezonit numëron 16 gola të shënuar në 27 prezenca, mes kampionatit (14 gola të realizuar), Superkupës së Italisë (1 gol) dhe Ligës së Kampioneve (1 gol në 5 prezenca), por me sa duket, penalltia që i ka pritur së fundmi Stefano Sorrentino i Kievos e ka bërë edhe më të uritur yllin portugez të Juventusit.

Kundër Lacios do të kërkojë që të rikuperojë goditjen e gabuar nga 11 metrat, të shtojë më tepër shifrat personale, por në të njëjtën kohë të tentojë që të gjejë atë gol në këtë aventurë të parë të Serisë A, që për të ka qenë një specialitet, por deri tani ka vonuar që të vijë.

Po flasim për një gol nga goditje dënimi… Deri tani ka shënuar në çdo mënyrë, me të djathtën (këmba e tij e preferuar), me të majtën, me kokë dhe me penallti, nga brenda dhe jashtë zone, por ajo që i mungon është një festë nga goditje dënimi.

Madje, kjo mënyrë e të shënuarit sivjet i ka munguar të gjithë Juventusit, edhe pse specialistë në skuadër ka shumë, pasi përveç CR7- ës, edhe Miralem Pjaniç e Paulo Dibala apo edhe Duglas Kosta, nuk kanë arritur që të dërgojnë asnjë top në rrjetë dhe ndoshta për këtë arsye “mister 105-milionëshi” ka vendosur që këtë javë t’i kushtojë vetes disa seanca ekstra, pas atyre të urdhëruara nga trajneri Masimiliano Alegri.

Kristiano Ronaldo ka vendosur që të qëndrojë disi më gjatë se të tjerët, në një rast (të mërkurën) së bashku me Paulo Dibalën, për të provuar të centrojnë shënjestrën me një barrierë përpara tyre. Ndoshta, kjo mënyrë e të shënuarit është shndërruar edhe në një fiksim personal të 33-vjeçarit Ronaldo, një “mision i pamundur” deri tani për atë, të cilin shpreson që ta përfundojë me sukses në ndeshjen e radhës, të dielën në mbrëmje, në transfertë kundër Lacios.

Fundja, një ndeshje fitohet edhe me këto goditje magjike, akoma më shumë në Ligën e Kampioneve, ku çdo rast që të ofrohet duhet të kërkohet që të transformohet në gol, sepse deri në fund të sezonit do të ketë edhe nga ato ndeshje, të cilat nëse nuk i zgjidh skuadra, duhet të vendosen nga goditjet gjeniale të individëve.

Golin me goditje dënimi Kristiano Ronaldo e ka në gjak, pasi karriera e tij flet për 54 realizime në të gjitha kompeticionet dhe ndoshta, të dielën në mbrëmje kundër Lacios, ka ardhur koha që portugezi i Juves të thyejë këtë mallkim persona dhe të tërheqë edhe njëherë tjetër kampionët e Italisë te fitorja e radhës në Serinë A.