Bashkë me shumë ish- futbollistë të tjerë të Vllaznisë, e ndjekin rregullisht skuadrën e tyre në çdo ndeshje në shkallët e stadiumit.

Suad Lici mbrëmjen e së hënës është ndjerë vërtetë mirë kur ka parë atë triumf të kuqebluve ndaj Flamurtarit dhe në një prononcim të dhënë shprehet se kishte vite që nuk kishte përjetuar të tilla emocione.

“Të them të drejtën ka kohë që nuk e kemi parë Vllazninë të zhvillojë një ndeshje të tillë si kjo ndaj Flamurtarit.

Në fakt, ndeshjen nuk e filloi mirë por zhbllokimi i rezultatit i dha një qetësi psikologjike dhe më pas u tregua shumë cinike, shumë e saktë.

Për këtë dua t’i falenderoj të gjithë, që nga portieri e deri tek sulmuesi, pa lënë mënjanë kurrsesi stafin teknik sepse na dhuruan shumë kënaqësi që në fakt ka kohë që nuk e përjetojmë në këtë mënyrë”- shprehet ish- mbrojtësi i Vllaznisë.

Po çfarë vëren Lici se ka ndryshuar në skuadër këto ndeshjet e fundit? Ai analizon medetaje këto ndryshime kur thotë:

“E kam thënë edhe më parë se kësaj skuadre duhej t’i jepnim pak kohë. Dhe në fakt, tashmë po vijnë frutet. Mbrojtja është
stabilizuar e po ashtu edhe sulmi është rregulluar.

Vucaj nga ana tjetër me paraqitjet që po bën në këto ndeshjet e fundit, i ka dhënë tjetër ritëm skuadrës.

Kam vetëm një vërejtje të vogël për ekipin: Ai sot duhej të kishte edhe të paktën dy apo tre pikë më shumë sepse mund të kishte fituar në Gjirokastër dhe barazuar apo fituar në Laç.

Me këtë që po them nuk duhet të kalojmë në eufori por Vllaznia duhet të guxojë sepse i ka elementët për të rivalizuar me çdo ekip.

Të mos harrojmë se mposhti në të gjitha drejtimet Flamurtarin, një nga ekipet më të mira të Superligës dhe kjo nuk është pak”.

Vllaznia vërtetë kaloi një provë të vështirë por duhet thënë se asgjë nuk ka përfunduar. Atë e pret një sfidë edhe më e vështirë këtë të shtunë në Kamëz.

Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, Suad Lici shprehet: “Në qoftë se Vllaznia e vlerëson drejt ndeshjen me Kamzën dhe luan pa frikë, mund t’ia dalë.

Përmenda frikën sepse është kthyer në një traditë të keqe për këtë skuadër mosluajtja ashtu si duhet në disa fusha.

Për shembull në Laç, Vllaznia ka vite që nuk shprehet ashtu si duhet në fushë. Prandaj nëse tregojmë vendosmëri në Kamëz,
mund t’ia dalim edhe të fitojmë.

Kualitetet i kemi, e për më tepër, skuadra jonë nuk është ajo e dy fazëve të para, është shumë më e fortë dhe shumë më e
vendosur për të arritur suksesin.

Një fitore në Kamëz do të na bënte shumë punë jo vetëm ne në renditje por do të tërhiqnim pas edhe Kamzën në renditje dhe dota fusnim edhe atë në krizë prandaj shpresoj shumë tek kjo gjë”.
© shkodrasport.com