Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ka luajtur për 90 minuta në takimin e sotëm të vlefshëm për kampionatin iranian të futbollit. Atë që skuadra e tij Sepahan ka luajtur në fushën e vet me një nga ekipet rivale, Teraktor Sazi. Ajo që çudit është se Sepahani ka humbur me rezultatin e thellë 1-4. Sukaj nuk ka mundur dot të shënojë në këtë ndeshje. Me këtë humbje, skuadra e tij është detyruar të lëshojë vendin e parë në renditje, pikërisht skuadrës me të cilën ka humbur sot. Sepahani ka arritur të grumbullojë 21 pikë përballë 23 të Teraktor por ka një ndeshje më pak se ajo dhe në rast fitoreje, mund të dalë sërish në vendin e parë.

Duke folur në lidhje me ndeshjen e sotme, Sukaj ka thënë: “Ende jemi të çuditur sesi e kemi humbur këtë ndeshje. Luanim në fushën tonë, e dominuam ndeshjen por kundërshtari na godiste me kundërsulm. Kjo është një humbje që mund të na rëndojë shumë për javët e ardhshme sepse tashmë kemi një kalendar më të vështirë. Nëse do fitonim sot, do ishim më të qetë por futbolli kështu e ka, e pëson atëherë kur nuk e mendon”. Futbollisti tjetër shqiptar që është pjesë e kësaj skuadre Ervin Bulku, në këtë ndeshje nuk ka luajtur asnjë minutë.
www.shkodrasport.com