Për dy ditë me rradhë u zhvillua në Shkodër kampionati kombëtar i gjimnastikës me pjesmarrjen e rreth 150 sportistëve pjestarë të 9 ekipeve të vendit. Figurën më të mirë ndër to e ka bërë ekipi i Vllaznisë i cili ka zënë dy vende të para në dy grupmosha dhe po ashtu dy vende të dyta në grupmoshat e tjera.
Vlen për t’u përmendur titulli kampion për grupmoshën +15 vjeç e po ashtu titulli kampion edhe për grupmoshën 11-12 vjeç, ndërsa nënkampionë janë shpallur ekipet e grupmoshave 6-7 vjeç dh 9-10 vjeç. Një sukses mëse i merituar i të gjithë sportistëve dhe i trajnerëve të tyre Izmir Kashi, Latif Kashi dhe Shpresa Salja e po ashtu edhe i presidentit të Shoqatës së Gjimnastikës së Vllaznisë Veselin Zako.
Sa i takon rezultateve individuale, për grupmoshën 7-8 vjeç, Hera Mustafa ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampione, ndërsa për moshën 9-10 vjeç Amatia Lleshi ka zënë vendin e dytë. Për moshën 11-12 vjeç, Maria Zefi ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampione, Viktoria Simoni është renditur e dyta dhe Mishela Bitanji e treta.
Për grupmoshën 13-14 vjeç, Merili Islami është renditur e dyta, ndërsa për grupmoshën +15 vjeç Sara Moleci është renditur e dyta dhe Gresa Dragani e treta.
Ndërkohë sa i takon rezultateve për vegla, në garat e ushtrimeve të lira kanë zënë vende të para Hera Mustafa, Sara Moleci, Amatia Lleshi dhe Viktoria Simoni. Në tra ekuilibër kanë zënë vende të para Maria Zefi dhe Rajmonda Ramja ndërsa në kërcim kali kanë zënë vende të para Sajra Hysaj, Viktoria Simoni dhe Sara Moleci.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



