Opinion nga Mejdan ZHIVANi

Në fillim të këtij sezoni futbollistik sulmi i skuadrës shkodrane konsiderohej më i miri në superligën shqiptare, e kjo e bazuar dhe argumentuar më pas, tek forca goditëse e vijës së parë të Vllaznisë, e në mënyrë të veçantë, e cilësive të lojtarëve, që i përkisnin atij reparti. Por tani, që ka kaluar paska mbi gjysmën e sezonit, ky repart mund të konsiderohet si më problematiku dhe më i dobëti për Vllazninë. Nëse i referohemi fillimit të kampionatit, në sulm shkodranët kishin emri të tillë si Xhevahir Sukaj, Armando Vajushi, Vioresin Sinani apo edhe ndonjë element i ri premtues si Jurgen Gjini, Bekim Erkoçeviç e të tjerë, që vinin nga pas shpine, nga mesfusha kryesisht, si sulmues të dytë. Deri tani, ku është luajtur java e 14-ërt e kampionatit të sivjetshëm dhe duhen të luhen edhe 12 javë të tjera, Vllaznia ka tundur plotë 20 herë rrjetat e kundërshtarëve, por ka pësuar dhe 19-të gola në portën e vet, duke treguar se edhe mbrojtja e këtij ekipi ka patur probleme. Por duke qëndruar tek cilësitë dhe mundësitë e fillim-sezonit, por edhe të autorët e golave në këtë skuadër, rezulton, që sulmit të jetë pika më e dobët. Nga 20 golat e shënuar nga ana e kuqebluve, 14 mbajnë “firmën” e dyshes Sukaj-Vajushi, tashmë të larguar nga Shkodra. I pari ndodhet në kampionatin iranian, pas problemeve me stafin teknik dhe drejtues të klubit të futbollit “Vllaznia sh.a.”, ndërsa i dyti është larguar në kampionatin bullgar, pasi në janar i mbaronte kontrata me Vllazninë dhe nuk pranoi rinovimin e saj, duke qenë i ndërgjegjshëm dhe i gatshëm për të paguar shumën prej 100 mijë eurosh, në mënyrë që të mos ketë më detyrime ndaj kuqebluve si ekip mëmë. Kështu, që 6 gola të tjerë në kampionat mbajnë firmën e futbollistëve të tjerë e kryesisht nga mbrojtësit mbrojtësit si Smajli dy të tillë apo edhe Petroviç, apo mesfushorët më pas si Karakaçi, Gocaj të tjerë. Largimi i dyshes Vajushi-Sukaj e zbehu së tepërmi forcën goditëse të Vllaznisë për në fazën e dytë. Me gjithë përpjekjet e stafit teknik dhe drejtues, që në merkaton e janarit të afronin futbollistë cilësor në repartin e sulmit, në fakt u arrit vetëm mbërritja e malazezit Ivan Jablan, që deri tani nuk ka bindur. Në dy ndeshjet e para zyrtare të kuqebluve në vitin 2012-të, janë shënuar dy gola, të dy në kupë, ku njëri mban “firmën” përsëri të mbrojtësit Smajli dhe të sulmuesit Gjini. Ky i fundit edhe pse konsiderohet një sulmues me perspektivë, ende nuk ka arritur që të bëhet siç duhet forcë goditëse në kampionat, ndonëse në Kupë, është më i suksesshmi nga shkodranët. Në krahun tjetër, që nga muaji tetor i 2011-ës, Sinani, “de fakto” thuajse ka hequr dorë nga futbolli i luajtur, (ndoshta ai ia ka njohur më mirë forcat vetes së tij), duke preferuar detyrën e zëvendës-trajnerit. Në fundin e këtij sezoni, pritet që Sinani t’i thotë “lamtumirë” dhe në mënyrë zyrtare futbollit të luajtur. Kështu, që Vllaznia për momentin po vuan jo pak në vijën e parë të sulmit, ndonëse stafi teknik dhe ai drejtues mbeten me shpresë se gjërat do të vijnë duke u përmirësuar në këtë drejtim me kalimin e javëve, duke premtuar gola në portat kundërshtare. E gjithë kjo, mbetet për t’u parë, pasi Jablan ka treguar në përballjet e fundit me Laçin dhe Flamurtarin, si për Kupë ashtu dhe për kampionat, se nuk është në gjendje apo nuk ka formën e duhur të momentit t’i dalë “zot” Vllaznisë në sulm. Gjini dhe Erkoçeviç ende nuk kanë eksperiencën dhe pjekurinë e duhur për ta bërë një gjë të tillë, ndonëse ata rriten dita-ditës në këtë drejtim. E kështu, i bie, që në këtë sezon futbollistik, Vllaznia të marrë çfarë të jetë e mundur, por edhe shënimin e golave ta lërë në mëshirë të “fatit”: të shënojë kush të mundet. Përfundimisht mbetet një çështje, që kërkon zgjidhje dhe një zgjidhje pozitive s’mund ta marrë kaq shpejt.