Futbollisti shkodran Eridon Qardaku është padyshim një nga talentët më të mirë të viteve të fundit në Shqipëri. 23-vjeçari shkëlqen gjithnjë e më shumë dhe në këtë sezon të Kategorisë së Parë, dhuroi performancën më të mirë të tijën deri tani.

Me fanellën e Vorës shënoi 11 gola e dhuroi 15 asiste, plot 26 gola nga këmbët e tij në 30 ndeshje të luajtura. Shifra këto që flasin vetë për futbollistin. Një talent i tillë është gjithnjë kryefjalë në merkato, sidomos kur i skadon kontrata.

Qardakut i përfundon kontrata më 30 qershor, pra pas një muaji dhe e ardhmja e tij pritet të jetë në Superiore. Klube të elitës e duan në skuadër si një investim për të tashmen e të ardhmen, sipas ‘Kategoria e Pare Official’. Në tryezën e lojtarti ka disa oferta të cilat do të shqyrtohen me kujdes për të vendosur më pas më të mirën.

Megjithatë, ekziston një shpresë për Vorën pasi lojtari u ka premtuar drejtuesve që nëse qëndron në Kategorinë e Parë, e bën vetëm me fanellën e Vorës. Kujtojmë që Qardaku është prodhim i akademisë së Vllaznisë, ndërsa promovimin në futbollin profesional ia mundësoi Bylis./newsport/