Te Kukësi ka një çështje “Barbosa”. Për të dalë në pah problemet midis palëve u desh ndeshja e fundit me Partizanin, në momentin që trajneri Rrahman Hallaçi e zëvendësoi dhe ky i fundit nuk kishte shumë dëshirë të dilte nga fusha e lojës në minutën e 72-të, për t’i lënë vendin Dacit.
Qartësisht, braziliani u pa i nervozuar dhe kundër këtij vendimi, por në fund e pranoi zëvendësimin, teksa u drejtua direkt në tunel. Nuk është hera e parë që 23-vjeçari shpreh pakënaqësinë për zëvendësimin, por asnjëherë nuk e ka shfaqur kaq hapur.
Duhet thënë se braziliani ka qenë i “preferuari” i trajnerëve për të mos e mbyllur ndeshjen të plotë, pasi në nëntë takime që është aktivizuar si titullar, është zëvendësuar në shtatë prej tyre, duke sjellë një pakënaqësi.
Me pak fjalë, nuk bëhet fjalë vetëm për një rast të veçuar, por braziliani duke qenë shpesh lojtari që duhet të lërë fushën para kohe, ka shkuar në atë pikë, sa nuk ka duruar më.
Me pak fjalë, kjo ishte ndeshja e pestë radhazi që braziliani zëvendësohej, teksa për herë të fundit ka qenë 90 minuta në fushë në humbjen ndaj Egnatias 0-1 më 22 tetor.
LUFTË E FTOHTË – Nervozizmi ishte vetëm një “sinjal” që braziliani i afruar me shumë bujë në limitet e kësaj merkatoje vere, të tregojë situatën në të cilën ndodhet klubi me lojtarin.
Nga njëra anë futbollisti erdhi si një nga afrimet me të bujshme në skuadër, ku shiheshin edhe shpresat e golit, por në fakt deri më tani nuk ka rezultuar kështu.
23- vjeçari ka shënuar vetëm 2 gola në 11 takime, në një kohë kur është sulmuesi kryesor i skuadrës dhe ka pasur përgjegjësinë mbi supe për të nxjerrë nga situata skuadrën.
Duke parë këto shifra të lojtarit, Kukësi nuk është i kënaqur me rezultatet me tij në fushë, sepse nuk po shënon rregullisht, gjë për të cilën bënë edhe një sforco për ta afruar në ekip.
Por, edhe vetë lojtari nuk është shumë i kënaqur me klubin, duke parë problemin që kanë pasur me rrogat dhe faktin që për momentin është duke luajtur me një skuadër që ndodhet në fundin e klasifikimit.
Duket se midis palëve ka nisur një “luftë e ftohtë” dhe mbyllja e kampionatit mund të sjellë ndërprerjen e bashkëpunimit midis palëve. Barbosa ka ardhur në formë huazimi deri në fund të sezonit, por gjasat janë që bashkëpunimi të mbyllet që në janar.
SITUATA – Me humbjen ndaj Partizanit, Kukësi shkoi në ndeshjen e gjashtë radhazi pa fituar, një ecuri vërtet shumë e dobët.
Madje, ka vetëm një barazim, atë me Kastriotin 1 me 1, duke grumbulluar vetëm një pikë nga 18 të mundshme.
Një ecuri e denjë për një skuadër që synon vetëm qëndrimin në kategori, ndaj jo më kot skuadra është në vendet e fundit dhe rrezikon seriozisht rënien në të Parën.