Nëse ka pasur diçka që ka rënë në sy te Tirana deri në këtë pikë të sezonit, ai ka qenë roli i sulmuesit të parë. Në këtë formë, golat që kryeqytetasit ishin mësuar t’i siguronin në sezonin e kaluar nga Ngo, këtë vit mungojnë, duke qenë se Sasraku është jashtë pritshmërive, ndërsa Avdiaj është një dështim i madh.

Edhe pse talenti Ernest Muçi është munduar të marrë përsipër ofensivën, sërish i vetëm duket i pafuqishëm dhe barra mbi 19-vjeçarin ka qenë e madhe. Ndaj, kampionët në fuqi po mundohen të gjejnë futbollistin e duhur për ta vendosur në qendër të sulmit. Emri që qarkullon është ai i Matej Cvetanovski, teksa ky i fundit është aktivizuar me Vardarin.

Mediat në Maqedoni dhe më saktë njëra prej tyre, Sport 1, e bëjnë fakt të kryer marrëveshjen e Tiranës me 23-vjeçarin. Cvetanovski shihet si një lojtar me shumë vlera dhe nëse transferimi në Superiore konkretizohet, atëherë sulmuesi do të bëhej lojtari i tretë nga Vardari te Tirana, duke qenë se nga ky klub kanë ardhur edhe Najdovski me Toshevskin. /VipSport/