Ai spikati menjëherë në ndeshjet e fundit miqësore të Kombëtares U-19, duke lënë shenjën me golat e tij. Rrok Toma sulmuesi i talentuar kuqezi ra në sy me paraqitjet e tij, duke shënuar disa gola në sfidat me Kosovën dhe Malin e Zi. Futbollisti 18-vjeçar i rritur në Akademinë e futbollit Brian’s ka sakrifikuar shumë për futbollin që në momentin kur vendosi të transferohej në Itali, ku për disa kohë ka luajtur në ekipe amatore për shkak të statusit si ektrakomunitar. Por duke punuar pa pushim Toma ia doli ta kalonte te skuadra e AlbinoLeffe, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm në karrierën e tij për të vazhduar kështu ëndrrën e tij për t’u ngjitur në majat e futbollit europian.

Në intervistën e tij për rubrikën “Talenti Shqiptar”, sulmuesi kuqezi tregon lidhjen e tij të fortë me futbollin dhe se frymëzohet nga idhujt e tij në futbollin shqiptar e atë ndërkombëtar. Kur vjen puna të objektivat Toma është me këmbë në tokë dhe flet për synimet e tij të afërta, që janë të fitojë një vend në ekipin Kombëtar U-19 dhe të ketë shansin të tregojë vlerat e tij me skuadrën e parë të AlbinoLeffes.


– Rrok, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Unë kam një familje që është e apasionuar pas futbollit dhe ishte pikërisht vëllai ai i cili më ka shtyrë drejt këtij sporti. Duke pare nxitjen e tij edhe unë kisha një dëshirë të madhe për të luajtur futboll.

Hapat e mi të parë kanë filluar me akademinë Brian’s dhe pastaj erdhi kalimi në Itali ku 2 vitet e para kam bërë vetëm stërvitje pa pasur mundësinë të luaj ndeshje zyrtare për arsye federimi.


– Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

– E para gjë që më shtyn të rritem është dashuria dhe pasioni që unë kam për futbollin, objektivat që i kam vënë vetes për karrierën time dhe familja ime, e cila më mbështet në çdo hap që bëj.


– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Personi që më këshillon më shumë është vëllai im, i cili më ka ndjekur në të gjithë karrierën time futbollistike deri në këto momente që po flasim. Është një mbështetje shumë e madhe për mua dhe më ndihmon me këshillat e tij që të përmirësohem.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga ekipet Kombëtare shqiptare?

– Kur kam marrë ftesën për herë të parë nga ekipet kombëtare kam qenë vërtetë shumë i emocionuar. Për mua ka qenë momenti më i bukur për sa i përket karrierës sime futbollistike. Pastaj më duket sikur ajo bluza e kombëtares ka aq peshë të rëndë saqë në fushën e blertë më jep forcë të jap maksimumin dhe të bëj gjëra të mëdha.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Nëse më duhet të flas për karrierën time futbollistike, dua të them që në fillim se unë jam i dashuruar me këtë sport, kam sakrifikuar shumë për futbollin, për mua ka qenë shumë i vështirë kalimi nga Shqipëria në Itali.

Fillimisht në Itali kam qëndruar 2 vite duke bërë stërvitje me skuadrën e Comos pa pasur mundësinë të luaj ndeshje zyrtare për arsye regjistrimi dhe ngaqë jemi ekstrakomunitarë, por unë nuk jam dorëzuar kurrë për asnjë moment dhe kam dhënë maksimumin tim gjithmonë. Jam shumë krenar për këtë gjë.

Arritje mund të them si fillim që ka qenë kalimi nga ekipet amatoreske në ekipet profesioniste. Momente të rëndësishme për mua kanë qenë dhe shpallja kampion i Italisë dy herë. Në njërin rast në kompeticionin që quhet “Torneo dei Regioni” me ekipin Regione Lombardia unë jam shpallur kampion dhe në rastin e dytë kemi fituar titullin në kampionatin “Primavera 3” me ekipin e AlbinoLeffes.


– Sa i rëndësishëm është goli për ju? Ka ndonjë gol që nuk e harroni?

– Goli për mua është tejet i rëndësishëm, është oksigjen për një sulmues. Unë jam një lojtar që luaj shumë për skuadrën, që sakrifikohem shumë për skuadrën. Pastaj në ekip nuk ka rëndësi kush shënon e rëndësishme, por kryesorja është fitorja.

Golat që nuk harroj janë disa, por të themi sezonin e kaluar ka qenë goli në finalen e Primavera 3 ku ekipi jonë i AlbinoLeffe-s doli kampion Italie dhe goli në ndeshjen e kombëtares U-19 ndaj Kosovës.


– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

– Të them të drejtën ka shumë futbollistë shqiptar që më motivojnë, por ndër më kryesorët mund të them që është Armando Broja, të cilin e vlerësoj shumë. Nuk mund të lë pa përmendur sigurisht ish-kapitenin Lorik Cana, i cili ka dhënë çdo gjë për fanellën kuqezi dhe ka qenë një lider i vërtetë.

Ndërsa nga lojtarët e huaj ata që më frymëzojnë më shumë janë sigurisht sulmues të famshëm si Luis Suarez, Robert Lewandowski apo Cristiano Ronaldo.


– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll?

– Për synimet më të mëdha është pak herët për të folur, por koha do të tregojë çdo gjë. Unë do vazhdoj të punoj çdo ditë që të arrij objektivat që i kam vënë vetes, ndërsa synimi im është që këtë vit të jem pjesë e Kombëtares U-19 në eliminatoret e Europianit U-19 dhe të bëjmë një paraqitje dinjitoze si skuadër, jo vetëm si individ. Gjithashtu këtë vit synoj që të bëj një sezon fantastik me ekipin e AlbinoLeffe në kampionatin e të rinjve Primavera 2 dhe shpresoj që trajneri i ekipit të parë të më japi besim për të debutuar në ekipin e parë.