Ditën e sotme është bashkuar në stërvitje me ekipin edhe sulmuesi nigerian Eziamaka Collins Ikenna. Lojtari kishte firmosur në fund të muajit gusht me Vllazninë dhe ka vonuar të bashkohet me ekipin në stërvitje për shkak të procedurës së marrjes të vizës.

Atij i është dashur të shkojë deri në Kajro të Egjiptit për ta marrë atë dhe me të kryer këtë procedurë, është nisur drejt Shqipërisë.

Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit paraditen e sotme dhe ndonëse i lodhur nga rrugëtimi i gjatë, ka shprehur dëshirën të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Lika.

Për rrjedhojë ka qenë i pranishëm në seancën e pasdites duke zhvilluar edhe stërvitjen e parë me ekipin.

Eziamaka ka kombësi nigeriane, është i datëlindjes 31 tetor 1997 dhe luan në sulm. Në këtë mënyrë, tashmë përveç brazilianit Zhunior dhe Pusit, stafi teknik i ekipit do të ketë edhe një alternativë më shumë për repartin ofensiv.

KF Vllaznia i uron mirëseardhjen Eziamaka Collins Ikenna dhe shpreson që ai të japë më të mirën e tij që skuadra të arrijë objektivin që ka këtë sezon.