Quhet Edinjo Ndoci, është shqiptar, pikerisht nga Shkodra dhe luan si sulmues te skuadra e Serisë D në Itali, U.S.D. Cirie Calcio.Ai është bërë protagonist për gjestin gjatë sfidës kundër Castigliones, ku ekipi i Cirie u mposht 1-2.

Ndoci realizoi golin e barazimit të përkohshëm (1-1) falë ekzekutimit të saktë të një 11-metërshi. Pak minuta më pas, sulmuesi shqiptar merr një goditje në këmbë pas ndërhyrjes së gabuar të lojtarit të Castigliones, Musa.

Në debat e sipër me këtë të fundit, kundër Ndocit vjen edhe një tjetër futbollist kundërshtar, Marotta, i cili ofendon sulmuesin shqiptar.

Gjyqtari i ndeshjes, duke menduar se ofendimet ishin drejtuar për të, i tregon kartonin e kuq. Por, në këtë moment ndërhyn futbollisti shqiptar, i cili sqaron gjyqtarin se ofendimet nuk ishin për të. Kartoni i kuq anulohet.

Në një intervistë për mediat italiane, Ndoci shprehet: “Musa ndërhyri gabim ndaj meje dhe po i kërkoja llogari. Në atë moment vjen futbollist tjetër i Castigliones, Marotta, i cili më tha të mos e ofendoja Musa, duke më thënë disa epitete.

Gjyqtari i drejtoi kartonin e kuq, duke menduar se Marotta po ofendonte atë. Në atë moment i thashë gjyqtarit se Marotta e kishte me mua dhe jo me arbitrin.

Kartoni i kuq u anulua. Mendova të veproja në atë mënyrë, sepse m’u duk e drejtë që të mos prishej ndeshja, edhe pse do të ishte në favorin tonë. Shto këtu faktin që unë kam luajtur dy vite me Castigliones dhe kam lënë përshtypje të mira atje”, shprehet Ndoci.

Në fakt, emri Edinho u ka bërë shumë përshtypje edhe gazetarëve italianë, të cilët e kanë pyetur sulmuesin shqiptar për emrin e tij.

“Familja ime është prej vitesh tifoze me Brazilin. Në Botërorin e 1978, një vit para se të lindja unë, Edinjo ishte titullar te skuadra përfaqësuese e Brazilit.

Babai im u mahnit nga loja e tij dhe vendosi të më quante Edinho. Tashmë jetoj prej vitesh në Itali, jam i martuar me një vajzë italiane dhe kam marrë edhe nënshtetësinë këtu”, tregon Edinho Ndoci./VIPSPORT/