Pas Krujës, edhe një tjetër futbollist mund t’i japë lamtumirën Vllaznisë. Bëhet fjalë për sulmuesin uruguajan Sebastian Soza. Gjërat kanë marrë një kurs tjetër ditën e djeshme. Kur pritej që prej tij të kishte ndonjë sinjal se kur do të mbërrinte në Shqipëri, 20 vjeçari përmes një përfaqësuesi të tij ka nxjerrë të tjera pretendime.

Kjo gjë i ka çuditur drejtuesit e klubit shkodran sepse deri dje atyre u ishte thënë që futbollisti kishte probleme me vizën hyrëse në Shqipëri. Por gjërat duket se kanë qenë ndryshe. Fillimisht lojtari mësohet të ketë kërkuar pagat e prapambetura. Drejtuesit e Vllaznisë i kanë komunikuar atij faktin se njërën rrogë të prapambetur, ashtu si gjithë pjesa tjetër e ekipit e ka në bankë dhe mund ta tërheqë ndërsa tjetrën do ta marrë javën që vjen. Duke qenë se kjo gjë nuk i ka sjellë rezultat, Soza përmes përfaqësuesit të tij ka nxjerrë një tjetër “bisht”. Ai ka kërkuar rritje rroge për pjesën e mbetur të kontratës. Kjo gjë i ka ardhur e papritur drejtuesve të klubit të cilët janë befasuar nga një kërkesë e tillë. Në fillim të muajit dhjetor, drejtori sportiv Armir Grima siç dihet ka qenë në Itali dhe Zvicër ku ka patur një kontakt edhe me menaxherin e futbollistit Pablo Betancourt dhe ky i fundit ka qenë i mendimit se lojtari do të qëndronte në Shqipëri deri në fundin e sezonit. Ndryshimi i bisedave ditën e djeshme, ka bërë që krerët kuqeblu të kërkojnë të kontaktojnë me Betancourt por ai thuhet se gjendej në Argjentinë dhe pritet kthimi i tij për ta sqaruar përfundimisht këtë çështje. Kjo do të thotë se edhe për pak ditë, Soza nuk do të bashkohet me Vllazninë derisa bashkë me menaxherin e tij do të marrin një vendim përfundimtar. Nuk përjashtohet mundësia që ai të mos vijë më fare në Shkodër.
Largimet e papritura
Largimi i mundshëm edhe i Sozës, do të krijonte një boshllëk të madh tek Vllaznia sepse bashkë me Krujën kanë formuar sulmin e saj në gjysmën e parë të sezonit. Të dy këta futbollistë ishin menduar që të ishin pjesë e rëndësishme e saj edhe në gjysmën e dytë dhe kanë qenë e projektit të trajnerit Raineri. Me largimin e tyre do krijohej një vakum i madh të cilin drejtuesit e klubit do të ishin të detyruar ta mbushnin por nuk dihet se me çfarë. Për këtë arsye, do të ishin të detyruar të ndërhynin në merkato për të gjetur lojtarë të tjerë megjithatë duhet pritur edhe pak ditë sa të sqarohen përfundimisht pozicionet e këtyre dy futbollistëve.