Kategoria Superiore përmbylli zhvillimin e tre fazave të para pak ditë më parë, e ndërsa në fundjavë pritet të nisë faza e katërt dhe e fundit e kampionatit, janë mësuar edhe skuadrat të cilat kanë pasur ecurinë më të mirë në raport me pikët në çdo fazë të kampionatit.
Egnatia, e cila kryeson aktualisht Superioren me 51 pikë, ka pasur bilancin më të mirë në dy fazat e para të kampionatit. Rrogozhinasit e mbyllën fazën e parë më mirë se cdo ekip tjetër, me 19 pikë. Ndërsa u ndoqën nga Partizani me 17 pkë, Laçi me 13, Tirana me 13 dhe Vllaznia me 12. Dinamo, që ka përjetuar një rritje të ndjeshme pas sesionit të dimrit ishte skuadra më e dobët e fazës së parë, me vetëm 7 pikë të grumbulluara.\
Faza e dytë foli përsëri për Egnatian. Skuadra me ambicie madhore për titullin kampion, në fazën e dytë, mori vetëm një pikë më pak se sa në fazën e parë, teksa grumbulloi 18. Në këtë fazë, rrogozhinasit u ndoqën përsëri nga Partizani në raport me pikët, me të kuqtë që regjistruan 15. Ndërkohë, surprizues në këtë fazë ishte transformimi i Dinamos që grumbulloi të njëjtën kuotë pikësh sa Partizani.
Faza e tretë shërbeu në mënyrë të shkëlqyer për të krijuar projeksione më të qarta në tabelën e klasifikimit, për ekipet që ambiciet përkojnë me ”Final Four”, mesin e tabelës apo garën për mbijetesë. Ka rezultuar si një fazë e mrekullueshme për Vllazninë, të cilët falë ecurisë fantastike ngushtuan diferencën me kryesuesit e Egnatias me vetëm 2 pikë në krye, teksa 23 pikët e marra në këtë fazë i cuan shkodranët e Qatip Osmanit të dytët në renditje me 49 pikë.
23 pikët e grumbulluara nga 9-herë kampionët në fazën e tretë janë dhe kuota më e larta e pikëve e regjistruar nga një skuadër në një fazë të këtij sezoni.
Skëndërbeu ka shërbyer si një surprizë e këndshme me 15 pikë, 5 fitore dhe 2 humbje, të cilat e kanë katapultuar në vendin e 4-të dhe tanimë shpresojnë shumë për ”Final Four”.
Ecuria e Vllaznisë dhe Skëndërbeut, ndiqet nga e Egnatias, Partizanit dhe Dinamos me 14 pikë, Teutës me 12, Tiranës me 10, Lacit me 9, Erzenit me 5 dhe Kukësit me 3 pikë.
Faza e katërt e Abissnet Superiore do të startojë të shtunën dhe skuadrat janë gati për sprintin final, për të përcaktuar verdiktet më të rëndësishme të futbollit tonë.