Vllaznia do rikthehet në fushën e lojës për një ndeshje zyrtare në datën 7 dhjetor. Kuqeblutë do jenë përballë Tiranës, për finalen e superkupës së Shqipërisë. Një duel që vë përballë fituesit e kampionatit dhe kupës dhe në një moment ku e gjithë vëmendja është tek Botërori, do ketë edhe një sfidë speciale të futbollit tonë.

E më bukur se një derbi i Shqipërisë nuk mund të ketë për fituesin e Superkupës. Shkodranët kanë 21 vite që nuk e dinë çdo të thotë të fitosh një trofe të tillë.

Dhe pikërisht për herë të fundit fitonin kundër Tiranës me rezultatin 2-1, ku vendimtar ishte një gol i Sinanit, aktualisht zëvendës trajner i shkodranëve në stafin aktual që drejton.

Por edhe në vitin 1998, Vllaznia do e fitonte për herë të parë Superkupën. Kundërshtar do ishte Apolonia dhe gjithçka mbyllej në rezultatin 1-1. Për tu vendosur nga penalltitë ku kuqeblutë do ishin më të saktë. Edhe në atë ndeshje një tjetër pjesëtar i stafit aktual të kuqebluve ishte protagonist. Fjala është për Auron Milotin, drejtorin teknik të Vllaznisë.

Ish-sulmuesi shënonte përballë fierakëve në kohën e rregullt. Patjetër ku mund të jetë një ogur i mirë për Vllazninë dhe një shembull për futbollistët aktualë. Ku mjafton të hedhin sytë nga stafi teknik që kanë dhe mund të marrin mjaftueshëm nga eksperienca dhe sukeseset e së shkuarës së trajnerëve.
Endri ÇINARI