Vitet ’80 ndoshta kanë qenë më të bukurat dhe më të suksesshmet për sportin shkodran. Ekipet e Sporklub Vllaznia dominonin në shumë prej sporteve dhe në veçanti, emocione të shumta ka dhuruar ai i çiklizmit.

Treshja e famshme e përbërë nga vëllezërit Tafili, Agimi e Sytkia si dhe Brahim Syka, e bashkë me ta edhe të tjerë çiklistë të talentuar, bënë gjithçka mirë duke dominuar në këtë sport.

Ky ekip i bëri për vete gjithë shkodranët, aq sa kur kishte gara çiklizmi, sheshi i Parrucës shndërrohej në një “amfiteatër sportiv”, nisur nga numri i madh i tifozëve të pranishëm për të ndjekur atë.

Kur i kujton edhe sot pas 30 e sa vitesh, kuptohet që sërish ka emocione dhe nostalgji, por këtë e ndjejmë jo vetëm ne. Të njëjtën gjë përjetojnë sërish edhe vetë protagonistët.

Sytki Tafili, fituesi i Rrethit Çiklistik në vitin 1988, ndërsa ka arritur të fitojë shumë tituj kampionë bashkë me ekipin duke e bërë Vllazninë një nga ekipet më me shumë trofe në çiklizmin shqiptar.

Kur e pyet se çfarë është Vllaznia për të, kampioni i çiklizmit për “Shkodra Sport” përgjigjet: “Vllaznia asht zemra e një qyteti që për 100 vite e ruajti me dinjitet këtë emër dhe jemi krenar”.
© shkodrasport.com