Kryeministri Rama deklaroi se klubet e futbollit nuk do përfitojnë nga ndihmat ekonomike qeveritare, pasi bëjnë evazion dhe i paguajnë futbollistët si fason. “Vipsport.al” ka bërë një hulumtim, për të mësuar se sa janë shifrat që kanë paguar disa prej klubeve të Kategorisë Superiore në tatime, sa i përket kontributeve të Sigurimeve Shoqërore.

Bie në sy që diferencat janë me të vërtetë të mëdhaja. Partizani është klubi rekord. Në muajin e fundit ai ka paguar 2.35 milionë lek të rinj vetëm Sigurime Shoqërore për futbollistët dhe administratën, duke i dhënë arkës së shtetit mbi 25 milionë lek të rinj për një vit futbollistik.

Në vendin e dytë renditet Vllaznia, e cila paguan mbi 1,1 milionë lek të rinj si Kontribute ne muaj. Ndërkohë, dy pretendentët për titull kampion këtë sezon, janë shumë pas. Kukësi ka paguar 303 mijë lek të rinj në muajin e fundit, duke pasur një mesatare prej pak më shumë se 3 milionë lekësh të rinj për një vit futbollistik.

TIRANA

Ajo që bie në sy në këtë klasifikim është Tirana. Klubi bardheblu ka paguar vetëm 95,5 mijë lek të rinj në muajin e fundit si Kontribute për Sigurimet Shoqërore. Një shifër me të vërtetë e ulët, por duhet theksuar që në këtë sasi, nuk janë paguar kontributet për futbollistët.

Klubi ka paguar vetëm kontributet për administratën, ndaj është edhe ky nivel i ulët pagese. Sa i përket lojtarëve, ato janë deklaruar zero./vipsport/

Lista e pagesës së Kontributeve të Sigurimeve Shoqërore për disa nga klubet e Kategorisë Superiore

Partizani – 2.35 milionë lek të rinj në muaj

Vllaznia – 1.1 milionë lek të rinj në muaj

Flamurtari- 616 mijë lek të rinj në muaj

Kukësi – 303 mijë lek të rinj në muaj

Bylis – 231 mijë lek të rinj në muaj

Laçi – 225 mijë lek të rinj në muaj

Tirana – 95 mijë lek të rinj