Polonia siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-tave të Kupës së Botës pas plot 44 vitesh. Robert Lewandowski me shokë ia dolën ta mbyllnin Grupin C në vendin e dytë pavarësisht disfatës së fundit me Argjentinën. Tashmë në fazën me eliminim direkt, polakët i pret një duel mjaft i fortë ndaj Kampionëve në fuqi, Francës.

“Gjelat” janë padyshim favorit ndaj Polonisë, teksa Kylian Mbappe është rreziku kryesor për prapavijën e polakëve dhe mbi të gjitha për portierin Wojciech Szczesny.

Megjithatë, gardiani i Juventusit nuk i frikësohet aspak sulmuesit të PSG, madje së fundmi shprehet se është ai vetë që do ta ndalë 23-vjeçarin.

“Ata janë favoritët kryesorë sepse bëhet fjalë për një nga skuadrat më të mira në botë. Por, ne do të japim më të mirën për të kaluar më tej. Çelësi për të ndalur Mbappe? Jam unë, do të mundohem ta ndalë vetë Kylian”, u shpreh Szczesny.