I ftuar në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në televizionin “RTSH Sport”, trajneri Alban Tafaj, në rolin e specialistit, foli për ndeshjen Kukësi-Vllaznia, duke u shprehur se shkodranët duhet ta shfrytëzonin këtë moment negativ që po kalonin kuksianët pas humbjes me Partizanin.

“Vllaznia kishte një moment të mirë për të shfrytëzuar ndaj Kukësit, pasi ata vinin pas një humbje të thellë ndaj Partizanit, 5-0. Prej shumë javësh, Vllaznia ka nxjerrë lojtarin më të mirë portierin kundërshtar, pasi është një skuadër që ushtron presion, por nuk del vetëm te goli, mbase edhe për fat.

Vllaznia kishte një moment që duhet ta shfrytëzonte maksimalisht Kukësin. Në këtë moment, Kukësin nuk besoj se do ta gjejë kurrë siç e gjeti këtë herë, por nuk ishte me këmbë në tokë.

Vllaznia nuk e kishte mendjen për ta fituar këtë ndeshje. Të paktën, kjo nuk u pa, nëse do kishte impenjim të skuadrës, do shihej edhe rezultati pozitiv”,-tha gjatë prononcimit të tij, specialisti i futbollit, Alban Tafaj.
Maringlen ZHIVANI