Hazir Stublla, një taksist shqiptar, është bërë protagonist këtë javë në Gjermani me historinë e tij të portofolit të humbur nga Manuel Neuer. Ai ia kishte kthyer portierit të Bayern mes shumë peripecish dhe si shpërblim kishte marrë vetëm një fanellë nga gardiani i bavarezëve, teksa kostot e udhëtimit kishin qenë shumë më të mëdha.

Historia bëri bujë, pasi taksisti kërkonte që të paktën portieri të paguante rreth 400-euro, shpenzimet e karburantit për rrugën që kishte bërë për t’i kthyer portofolin. Një situatë e pakëndshme, e cila ka pasur një fund të lumtur falë një legjende të futbollit gjerman, Lottar Matheus.

Ky i fundit ka vendosur që t’i blejë Stubllës, baba i katër fëmijëve, një fanellë dhe pastaj ta nxjerrë në ankand për bamirësi në fondacionin ‘Ein Herz für Kinder’, me të cilin bashkëpunon.

“Më shkoi menjëherë në mendje që ta bëja një gjë të tillë, madje vendosa edhe një fanellë me autograf nga unë”, shpjegoi Matheus për mediat gjermane, ku saktësoi se i kishte paguar taksistit 1000-euro për atë fanellë.

“Lottar është më i miri. Më ka pëlqyer gjithmonë, por tani ai është heroi im”, ishte komenti i taksistit shqiptar, Hazir Stublla, pas gjestit të shkëlqyer të legjendës gjermane, Lottar Matheus.
Maringlen ZHIVANI