Pak ditë më parë, Telesport solli në kujtesë të gjithë shqiptarëve, rastin e talentit Francesco Tahiraj, që luan në Slloveni me skuadrën e Aluminij. Futbollisti 22 vjeçar luan prej 4 sezonesh në këtë kampionat, dhe ky duket se ka nisur në mënyrën më të mirën të mundshme për të. Aktualisht ai ka luajtur 16 ndeshje, duke shënuar 7 gola dhe asistuar në tre të tjerë.

Ndërsa në total ai rezulton të ketë luajtur në 91 takime, ku ka shënuar 17 gola dhe ka asistuar në 9 të tjerë. Ky sezon pritet të jetë më i miri në aspektin e statistikave personale të futbollistit, pasi jo më kot kanë nisur interesimet nga klube të tjera. Por me ndeshjen e fundit të luajtur me skuadrën e Aluminij, Francesco Tahiraj, ka vendosur një tjetër rekord për ekipin e tij.

Ai bëhet i vetmi lojtar i skuadrës së tij që ka mbi 6.000 minuta të luajtura në ligën e Telekom Slovenije. Me këtë statistikë, Tahiraj bëhet një nga dhjetë lojtarët me më shumë aktivizim në elitën e futbollit slloven, duke vendosur rekord për ekipin e Aluminij.

Por pavarësisht formës së shkëlqyer që po kalon në Slloveni, futbollisti i rritur tek Akademia e Juventus, nuk është grumbulluar në ekipin kombëtar. Është për të shprehur keqardhjen, që talente të tilla nuk thirren në ekipin kombëtar, në një kohë që prej kohësh trajneri dhe drejtuesit e ekipit janë ankuar se nuk ka futbollistë./telesport/