Faza e parë e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj është mbyllur me një ecuri të shkëlqyer të ekipit të Vllaznisë i cili i ka fituar të tetë ndeshjet e luajtura dhe është shpallur “kampion i dimrit”. Një ecuri e tillë e këtij ekipi pritet të vazhdojë edhe në ndeshjet e turit kualifikues të Kupës së Shqipëris, ndeshje këto që startojnë këtë fundjavë.

Federata Shqiptare e Volejbollit ka caktuar datat 7-9 dhjetor për zhvillimin e tyre dhe nëntë skuadrat pjesmarrëse janë ndarë në dy grupe, në bazë të renditjes së fazës të parë të kampionatit. Vllaznia si kryesuese e tij bën pjesë në grupin A dhe përveç saj në këtë grup janë edhe Skënderbeu, Partizani dhe Elbasani.

Siç shikohet, dy ekipet rivale të kuqebluve mendohet të jenë Partizani dhe Skënderbeu, ndërkohë që Elbasani konsiderohet një ekip i lehtë. Në turin gjysmëfinal siç dihet kalojnë dy ekipet më të mira të secilit grup dhe për këtë arsye, shkodranëve do t’u duhet të fitojnë dy ndeshje për të arritur këtë objektiv.

Megjithatë me shumë siguri, ata nuk e kanë ndër mend të ndalin serinë e fitoreve dhe do të vazhdojnë atë edhe në Kupën e Shqipërisë. Ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj nën drejtimin e trajnerit Ermal Kraja, sivjet po bën një paraqitje të shkëlqyer. Ndonëse askush nuk e kishte menduar një start të tillë, ai ka bërë gjithçka mirë dhe konsiderohet favoriti kryesor për fitimin e të dy trofeve.

Megjithatë duhet parë sesi do të rrjedhin gjërat pas janarit sepse ekipet e tjera pretendente mendohet të bëjnë përforcime me lojtarë të huaj dhe kjo do t’i prishte raportet. Gjithsesi duhet pritur sepse lëvizje mund të ketë edhe tek Vllaznia, ndonëse deri më tani nuk ka asgjë konkrete.
© shkodrasport.com