“Mund të mos jem më pjesë e Komëbtares”, me këtë deklaratë të fortë preferon Emir Sahiti ta nisë intervistën e dhënë për newsport.al një ditë pas sfidës së kuqezinjve të ‘vegjël’ kundër Maltës.

Sulmuesi i Hajdukut të Splitit po kalon një formë të mirë, megjithatë kjo s’e ka penguar aspak trajnerin Alban Bushi për ta lënë jashtë për dy sfidat e luajtura.

19-vjeçari preferon të flasë ashtu si i mendon gjërat. Ai është i bindur që nuk ka bërë gabim se ka zgjedhur kombëtaren shqiptare, megjithatë thekson se tashmë është i gatshëm t’i thotë “Po” Kosovës nëse para tij do të ofrohet një ftesë.

Është i qartë në ato që tregon, teksa ndalet të analizojë edhe përfaqësuesen e trajnerit Christian Panuçi. Sulmuesi mbështet italianin pasi sipas tij i duhet ende kohë për të krijuar skuadrën e ideve të tij.

Në fund intervista e tij mbyllet me një përgjigje që askujt s’do t’i pëlqente. Megjithatë mendimet dhe vendimet i përkasin vetëm Sahitit, të cilat iu ftojmë t’i lexoni më poshtë.

– Emir ishit ftuar herën e shkuar nga Alban Bushi për ndeshjet e Shpresave. Pse nuk u grumbullat këtë radhë?
Po, kam qenë i grumbulluar. Tani po mendohem se çfarë duhet të bëj me të ardhmen time. Mund të ndodhë që të mos jem më pjesë e kombëtares shqiptare.

– A mendon se duhet të ishe pjesë e organikës kuqezi?
Po, mendoj që duhet të jem aty.

– Çfarë ka ndodhur që këtë herë ju nuk e keni bindur Alban Bushin për t’iu bashkuar Shqipërisë?
Unë çdo herë e kam bindur Alban Bushin. Çdo herë, në çdo stërvitje, në çdo ndeshje kam dhënë maksimumin tim. Këtë radhë s’e di.

– A beson se në Kombëtare duhet të kishte futbollistë të tjerë që kanë punuar mirë këto kohë?
Çdo herë duhet të jenë futbollistë që janë në formë dhe lojtarë që e meritojnë fanelën kuqezi. Por, në kombëtaren shqiptare nuk shihen këto gjëra.

– Dukshëm kuqezinjtë kanë probleme. Sipas mendimit tënd, çfarë duhet riparuar?
Sipas meje nuk ka problem, por duhet ndërtuar një kombëtare e re me lojtarë të rinj.

– Nëse ftesa vijon të të mos vijë, a do të pendoheshe për zgjedhjen e bërë?
Nuk pendohem asnjëherë sepse kam gjak shqiptari, por janë disa gjëra të tjera nuk dëshiroj t’i përmend për sa i përket ftesës së Kombëtares.

– Kombëtaren e madhe e ke ndjekur?
E kam ndjekur gjithmonë. Besoj se po kalon një ngërç dhe në të ardhmen do të rimarrë veten.

– A mendon se ka ardhur koha që trajneri Panuçi të largohet nga stoli i Shqipërisë?
Nuk mendoj ashtu sepse është një trajner shumë i mirë. Edhe lojtar ka qenë i mirë dhe mendoj se duhet të presim edhe pak që ai të formojë skuadrën sipas filozofisë së lojës së tij.

– Ti je grumbulluar me Shqipërinë, ndërsa vëllai Suadi me Kosovën. Çfarë ndjesie është?
Është një ndjenjë shumë e mirë si për mua, si për vëllain, gjithashtu edhe për familjen time. Kam dëshirë shumë që vëllai im të arrijë qëllimet e veta dhe të ketë shëndet, fat e shumë sukses në karrierën e tij futbollistike.

– E fundit! Nëse trajneri Challande do të ftonte në këto momente për t’iu bashkuar Kosovës, cili do të ishte vendimi yt?
Tani për tani, besoj se do t’i kisha thënë “PO” Kosovës. /newsport/