Pas një periudhe disi larg njëri- tjetrit, kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci dhe drejtuesit e Vllaznisë janë takuar sot dhee kanë biseduar gjerë e gjatë për të ardhmen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm. Një gjë e tillë bëhet e ditur përmes postimit të numrit 1 të qytetit që shkruan:
“Me kënaqësi prita sot në zyrën time presidentin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi, së bashku me trajnerin hungarez Csaba László dhe kapitenin e skuadrës, Bekim Balaj.
I urova mirëseardhjen trajnerit në Shkodër, në një qytet që futbollin e ka në gen, e jeton me pasion dhe e ka pjesë të pandashme të historisë dhe identitetit të tij.
Gjatë takimit biseduam për ecurinë e deritanishme të skuadrës kuqeblu, objektivat e saj, por edhe për angazhimin e vazhdueshëm të Bashkisë Shkodër në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e kushteve në stadiumin “Loro Boriçi”, shtëpinë e Vllaznisë.
Mbetemi të angazhuar për të garantuar kushte sa më të mira në këtë impiant sportiv, si në tapetin e blertë, ashtu edhe në ambientet e dedikuara për tifozët tanë të mrekullueshëm, që janë forca dhe krenaria e Vllaznisë.
I urova suksese drejtuesve, stafit teknik dhe futbollistëve në rrugëtimin e tyre, me besimin se do ta çojnë gjithnjë e më lart emrin e Vllaznisë dhe të Shkodrës.
Bashkëpunimi ynë do të vijojë ngushtësisht, sepse Vllaznia është më shumë se një skuadër futbolli. Është histori, traditë dhe krenari e gjithë Shkodrës!”


