Ende nuk i ka mbushur 20-vjeçe, por Sarah Beci çdo ditë e më shumë po shfaqet si protagoniste me ekipin e volejbollit të Vllaznisë. Ajo luan në rolin e pasueses dhe padyshim volejbollistja e ekipit kuqeblu konsiderohet e ardhmja e volejbollit shkodran.
Beci i përket ekipit të Vllaznisë që gjatë këtij viti u shpall kampion me 20-vjeçaret dhe dha një kontribut shumë të madh në arritjen e këtij suksesi. Për këto arritje, gazeta “Shkodra Sport” vendosi ta nderojë me çmimin “Talentja e vitit 2022” volejbollisten Sarah Beci.
Ndërkohë pas këtij çmimi, Sarah ka pranuar me kënaqësi të intervistohet nga “Shkodra Sport” për të folur në këtë mënyrë për pasionin e saj të madh, volejbollin, por edhe ëndrrat dhe synimet e saj në vitin e ri 2023.
Beci u shpreh se ndihet e vlerësuar dhe tepër e emocionuar për këtë çmim të fituar prej saj, ndërsa theksoi se ky vlerësim i jep një shtysë të madhe asaj që të përmirësohet edhe më shumë për të ardhmen. Intervistën e Sara Becit për “Shkodra Sport” mund ta ndiqni më poshtë.
-Jeni vlerësuar nga “Shkodra Sport” si “Talenti i vitit 2022”. Çfarë ndjesie përjetuat në atë ceremoni?
Në rradhë të parë, dua të falënderoj edhe njëherë gazetën “Shkodra Sport” për vlerësimin. Eshtë diçka emocionuese për çdo sportist të shpërblehet me të tilla çmime dhe normalisht këto çmime na japin një shtysë të madhe për t’u përmirësuar edhe më shumë në të ardhmen.
Ishte një ndjesi e veçantë, sepse për mua ishte hera e parë që isha pjesë e një ceremonie të tillë dhe normalisht jam shumë e lumtur dhe e emocionuar. Jam falënderuese ndaj presidentit të ekipit Florian Zekja, trajnerëve që na kanë mbështetur. Po ashtu, normalisht çdo vajze që është pjesë e skuadrës, sepse me to ndaj fushën çdo ditë dhe luajnë një rol kryesor edhe ato në arritjet e mia dhe gjithashtu edhe familjes që janë mbështetës në çdo moment.
-Sarah, duke qenë se jemi në periudhë fundviti, a keni bërë një bilanc të arritjeve tuaja gjatë këtyre 365-ditëve?
Në aspektin personal besoj se ishte një vit i rëndësishëm, ku u shpalla kampion me ekipin e U-20 dhe isha kapitene ekipi. Me ekipin e të rriturave mbase nuk arritëm të kishim një rezultat aty ku dëshironim ne. Tani së fundmi edhe çmimi nga “Shkodra Sport”. Në përgjithësi, në aspektin personal ka qenë një vit i mirë, por gjithmonë ka vend për përmirësime.
-Cili është urimi juaj për këto festa të fundvitit?
I uroj të gjithëve një vit sa më të gëzueshëm dhe plot fat, shëndet e lumturi në familjet e tyre. Viti i ri t’u japë forcë për të përballuar sfidat e jetës, kurajo për të rregulluar situatat në mënyrë që të merrni çdo situatë të jetë në favorin tuaj. Paçi një vit të mbarë përpara.
-Cilat janë objektivat dhe synimet tuaja për vitin 2023?
Çdo sportist kur nis sezonin e ri, përveç objektivave që vendos presidenca dhe stafi i trajnerëve, ka edhe një objektiv që i vendos vetes të përmirësohet sa më shumë dhe të arrijë sa më lart. Vitin e ri shpresoj të jemi pjesë e finaleve të kampionatit dhe të Kupave që po zhvillohen. Pse jo të sjellim edhe një trofe për ekipin e të rriturave që po mungon në Shkodër dhe pse jo në fundin e vitit 2023 të jem përsëri në ceremoninë e çmimeve të personazheve të vitit.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI