Nikola Iliev, talenti 15-vjeçar bullgar, është gati të fluturojë në Itali për të nënshkruar më Inter-in. Për zyrtarizimin e marrëveshjes pritet vetëm hapja e kufijve. Ndërkohë, lojtari ka folur për mediat bullgare për të tashmen dhe të ardhmen e tij.

“Jam në fshat në këtë moment”, ka thënë ai për NovSport. “Po ndjek rregullat dhe kam kohë për t’u stërvitur. Bëj shumë ushtrime sepse nuk dua të humbas formën. Për muaa, futbolli vjen para shkollës, por kërkoj të ndjek edhe mësimet”.

Iliev ka zbuluar se ka marrë një ofertë edhe nga Ajax-i, por ai dhe prindërit e tij kanë vendosur të pranojnë ofertën e Inter-it. “Kam marrë një ofertë nga Ajax-i, por kemi preferuar të shkonim tek Inter-i”.

“Do të jem një futbollist i Inter-it këtë verë. Nuk kam nënshkruar akoma një kontratë. Përfaqësuesit e klubit duhet të kishin ardhur, por nuk ka qenë e mundur për shkak të virusit dhe karantinës”.

“Duhet të presim. Jam gati për këtë sfidë: dua të luaj në nivele të larta. Nuk kam filluar akoma të mësoj italisht, por po përmirësohem në anglisht, sepse flitet kudo”./telesport/