Elseid Hysaj është shfaqur sot në konferencën për shtyp të Lacios përkrah trajnerit Mauricio Sarri, në vigjilje të ndeshjes së Ligës së Konferencës që bardhekaltrit luajnë ndaj rumunëve të Kluzh. Një turne të cilin Igli Tare pak kohë më parë e etiketoi si “Ligën e humbësve”, por të cilën tashmë Lacio synon ta fitojë, siç e konfirmoi vetë mbrojtësi i kombëtares shqiptare.
“Duam të fitojmë Ligën e Konferencës, mund t’ia dalim dhe të gjithë lojtarët duan të kenë një trofe më shumë. Të gjithë japin maksimumin dhe mënyra e të luajturit është gjithmonë e njëjta. Është më mirë për të gjithë nëse bëjmë gjërat të funksionojnë,. Çfarë ndeshje duhet të presim? Kemi parë disa video të Kluzh, por fusha ishte e ngrirë. Ka 3-4 lojtarë që bëjnë diferencën, nuk duhet t’u lejojmë asgjë.
Ku ka ndryshuar Sarri në krahasim me më parë? Nuk zbutet kurrë, as në shtëpi. Mua më pëlqen se si bën djemtë të kuptojnë idetë e tij, e shoh këtë prej shumë vitesh. Dëshiron të përmirësohet gjithmonë. Jemi një skuadër e madhe dhe një grup i madh, por nëse ka diçka që duhet përmirësuar, është mentaliteti.
Luhet çdo tre ditë dhe duhet që të rikarikojmë gjithmonë energjitë fizike dhe mendore. Si gjendet vazhdimësia? Nëse do ta dija, do ua thosha të gjithëve, Duhet të mënaxhojmë ndeshjet dhe të jemi të aftë të rikarikojmë bateritë. Secili nga ne duhet të shohë gjërat brenda vetes”, tha Hysaj para gazetarëve.