Taulant Seferi po bën mjaft mirë në Zvicër me ekipin e Ksamaks, por ende nuk e ka bindur stafin e kombëtares shqiptare ta provojë në kombëtaren e madhe. 23-vjeçari ka qenë pjesë e kombëtares sonë të të rinjve, ndërsa është thirrur disa herë edhe nga ajo e Maqedonisë së Veriut.

Në një lidhje me “Super Sport” në emisionin “Fan Zone” sulmuesi tregon se dëshiron të luajë për Shqipërinë dhe në sfidën mes Kosovës dhe Maqedonisë dëshiron të fitojë kombëtarja dardane.

E ARDHMJA- Shpresoj që kjo situatë të kalojë dhe ne të kthehemi të luajmë përsëri. Sapo të përfundoj huazimin te Ksamaks në fund të sezonit do rikthehem te Jang Bojs që kanë kartonin tim, ku shanset janë që të qëndroj. Do bisedoj dhe nëse nuk më shohin si një lojtar kyç atëherë do largohem, por të shohim.

KOMBËTARJA- Në Kombëtare është një konkurrencë e madhe, por mendoj se kjo është diçka e mirë për mua, pasi duhet të punoj më shumë dhe të zë një vend te Shqipëria. Në Maqedoni ka shumë talente dhe Shqipëria duhet të shikojë më shumë edhe në këtë vend.

KOSOVË-MAQEDONI E VERIUT– Do shkoj ta shikoj ndeshjen në stadium nëse e kam të mundur, por mendoj dhe shpresoj në një kualifikim të Kosovës. Gjithmonë ka qenë dëshira ime dhe e familjes që të luaja për Shqipërinë, e cila është edhe kombi im.

SHËKNDIJA– Për momentin jam akoma i ri dhe nuk mendoj për Shkëndijën, pasi dua të luaj në Europë. Lojtari më i mirë te Shqipëria i të gjitha kohërave është Igli Tare, por pëlqej shumë edhe Canën.

OBJEKTIVI– E kam si objektiv në karrierë, që të luaj në tre kampionatet më të mëdha në Europë. /vipsport/