Tomas Tuhel do ta nisë aventurën në krye të Bajernit në një përballje interesante, pikërisht ndaj ekipit të fundit që ka drejtuar në Gjermani, Borusia Dortmund. 49-vjeçari doli në një prononcim për media në vigjilje të “Klasikes”, e cila do të ketë ndikim në verdiktin se kush prej dy ekipeve do të ngrejë trofeun në fund.
RIKTHIMET- ”ÇupoMoting është plotësisht i gatshëm në duelin e sotëm, seancat e fundit dëshmuan se ai është gati të zbresë në fushë nga minuta e parë. Musiala do të jetë i disponueshëm gjithashtu, ndonëse mbetet ende e paqartë koha e inkuadrimit. Vetëm Nojer, Lukas Hernandez dhe Matis Til nuk janë në gjendje të shërbejnë” shtoi Tuhel.
KALENDARI- ”Muaj prill dhe maj zakonisht janë të ngjeshur dhe me presion, pasi në të varen fatet e sezonit dhe puna e një viti plot mund e sakrifica, të cilat ose mund të kurorëzohen ose hidhen poshtë. Trysnia është prezente, ndonjëherë të bën mirë në përballimin e sfidave. E rëndësishme t’i marrim ndeshjet me radhe me përqendrimin e duhur”.
FORMACIONI- ”Grupi vetëm ditët e fundit u plotësua dhe ka ende dilema rreth titullarëve. Çdo futbollist e meriton të luajë nga fillimi, por e rëndësishme është arritja e objektivit, pasi sezoni është i gjatë dhe të gjithë do të kenë mundësi të demonstrojnë potencialin”.
MARRËDHËNIA ME KIMISH PAS DEKLARATAVE- ”Joshua ka të drejtën e tij të mendimit dhe unë e respektoj. Ai ka rol të veçantë në ekip dhe e konsideroj veten më fat që do të punojmë bashkë”.
SHKARKIMI NGA ÇELSI- ”Tronditje. Më shkarkuan për 3 minuta, që në mëngjes. Besoja se mund t’ia dilnim, ndonëse vështirësitë ishin jo të vogla. Përjetova ndjesinë e të qenit si një familje e bashkuar, ndonëse përfundimi dëshmoi tjetër gjë”, përfundoi i pezmatuar nga eksperienca e fundit në postin e trajnerit Tuhel.