Muaji dhjetor dalëngadalë po shkon drejt fundit dhe bashkë me të do të mbyllen edhe të gjitha aktivitetet sportive kombëtare. Ato që kanë mbetur pa u zhvilluar, pritet të realizohen këto ditë dhe një prej tyre është edhe Kupa e Shqipërisë në taekondo.

Interesant është fakti se ky aktivitet do të zhvillohet në Shkodër, pikërisht të dielën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Kështu ka vendosur Federata e këtij sporti, edhe për atë se Vllaznia është një nga ekipet elitare në vend dhe përpos kësaj, organizimi që bëhet në këtë qytet është model. Garat e Kupës do të zhvillohen për të gjitha grupmoshat, duke filluar nga ato të fëmijëve, për të vazhduar me kadetët, juniorët dhe për të përfunduar me garat e seniorëve- të rriturve.

Në to do të marrin pjesë të gjithë ekipet e vendit. Ekipi i Vllaznisë i drejtuar nga trajneri Elion Puka padyshim që do të tentojë fitoren e këtij trofeu, për t’i bërë mbylljen e duhur vitit 2018.
© shkodrasport.com