Një ish-futbollist i Superiores, më saktësisht i Vllaznisë, do të ketë një rol të rëndësishëm drejtuesi në një nga klubet e Bundesligës. Fortuna Dyseldorf, skuadra e cila aktualisht mban vendin e fundit në kampionatin gjerman, ka emëruar zyrtarisht Lutz Pfanenshtil si drejtorin e ri sportiv të saj.

Ish-portieri, tashmë 45-vjeçar, ka shëtitur të gjithë botën me kuptimin e plotë të fjalës, duke u bërë futbollisti i parë që kishte luajtur në të gjithë kontinentet si profesionist.

Një nga etapat e karrierës së tij ishte edhe Vllaznia ne vendin tonë, në sezonin 2006-2007, duke luajtur 14 ndeshje para se t’i jepte lamtumirën vendit tonë për të vazhduar rrugëtimet e tij në vende si Namibia, Zelanda e Re apo Kuba.

Pikërisht këto rrugëtime të tij në çdo cep të botës kanë bindur Fortuna Dyseldorf t’i besojë ish-portierit, i cili ka krijuar njohje në çdo vend dhe mund të kërkojë e afrojë talente të reja.

Pfanenshtiel ishte prej kohësh në bisedime me klubin por vetëm dje është arritur akordi dhe ai është emëruar zyrtarisht për të filluar punën më datë 16 dhjetor. /vipsport/