Superiorja nuk ka përfunduar ende. 26 javë të zhvilluara dhe gjatë këtyre sfidave ka pasur mjaft lojtarë të ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe të kuq. Përgjithësisht janë mbrojtësit ata që kanë parë t’u ngrihet më së shumti i verdhi para fytyrës, por nuk janë pas as mesfushorët me tipare mbrojtëse.

Abcnews.al ju sjell një formacion me “djemtë e këqij” të Superiores. Dominojnë Bylisi dhe Teuta, me nga tre lojtarë, ndërkohë që Tirana ka dy përfaqësues në të këtë 11-she. Me nga një lojtar të Vllaznisë, Partizanit dhe Skënderbeut plotësohet i gjithë formacioni.

ISLI HIDI (BYLISI); 6 kartonë të verdhë – Portieri kryeqytetas është një nga lojtarët lider te Bylisi, madje në fillim të sezonit iu besuan edhe goditjet e penalltive. Katër gola për portierin, i cili në muajin tetor mbush 40 vjeç. Këtë vit ka thyer edhe një tjetër rekord, atë të kartonëve të verdhë, pasi është ndëshkuar 6 herë në kampionat.

BLAGOJA TODOROVSKI (TEUTA); 5 kartonë të verdhë, 2 të kuq – Sezoni i parë në Superiore, titullar absolut te Teuta dhe autor i një goli. Mbrojtësi i djathtë në dy raste e ka lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak, pasi është ndëshkuar me kartonë të kuq. Nuk i kanë munguar edhe të verdhët, plot pesë në kampionat.

ARTIM POLLOZHANI (SKËNDERBEU); 8 kartonë të verdhë, 1 i kuq – Veterani i Skënderbeut, i cili vitet e fundit po aktivizohet në qendër të mbrojtjes, ka parë t;i nxirret shpesh kartoni i verdhë, ndryshe nga sezoni i shkuar te Flamurtari. Pollozhani është ndëshkuar tetë herë me të verdhë dhe një hera ka marrë karton të kuq në kampionat.

RUSTEM HOXHA (TEUTA); 9 kartonë të verdhë, 1 i kuq – Mbrojtësi durrsak është një prej liderëve në skuadrën bregdetare, por shpesh i duhet t’i ndalojë rivalët edhe me faull. E ka bërë shpesh dhe jo më kot është ndëshkuar me kartonë të verdhë plot 9 herë. Hoxha ka parë edhe të kuqin t’i drejtohet, pas dy të verdhëve.

ERJON HOXHALLARI (TIRANA); 8 kartonë të verdhë, 1 i kuq – Lojtari i linjës së majtë, vijon me ritmin e një sezoni më parë, me ndryshimin që kampionati ketë herë nuk ka përfunduar akoma dhe ai ka marrë 8 kartonë të verdhë dhe një të kuq. Rekordin në karrierë e ka 10 të verdhë dhe me shumë mundësi Hoxhallari do ta kalojë atë shifër.

ALBANO ALEKSI (TEUTA); 11 kartonë të verdhë – I njëjti ritëm sikurse edhe vjet me Luftëtarin, sërish pa karton të kuq. Për Albano Aleksin është e pamundur të mos ndëshkohet me kartonë të verdhë dhe këtë sezon i është ngritur 11 herë. Edhe tre të tjerë i duhen për të barazuar rekordin e para dy sezoneve, në Gjirokastër.

BEHAR RAMADANI (VLLAZNIA); 9 kartonë të verdhë, 1 i kuq – Mesfushori u rikthye në verë në Shkodër dhe sigurisht që është titullar me kuqeblutë. Si zakonisht, Ramadani e ka të pamundur të mos ndëshkohet me kartonë të verdhë dhe këtë herë ndoshta ka edhe një arsye më shumë, pasi luan me ekipin e vendlindjes. Rezultati, 9 të verdhë dhe një i kuq, jo direkt.

DONAL MËLLUGJA (BYLISI); 8 kartonë të verdhë, 1 i kuq – Sezoni i parë për të në Superiore dhe ka rënë në sy me grintën që e karakterizon. Mesfushori nga Burreli ka luajtur rregullisht titullar me Bylisin. Detyra e tij është të ndalojë sulmet e kundërshtarëve dhe deri më tani e ka bërë mirë, por edhe është ndëshkuar: 8 herë me kartonë të verdhë dhe njëherë me të kuqin.

AGUSTIN TORASSA (TIRANA); 4 kartonë të verdhë, 2 të kuq – Argjentinasit i Tiranës ka luajtur në disa pozicione sivjet: në mesfushë, në krah të sulmit dhe si fantazist. Ndoshta kjo ka bërë që edhe ai të ndëshkohet, disa herë. Në katër raste për Torassa është ngritur kartoni i verdhë, ndërsa dy herë të tjera i kuqi. Njëri madje në derbin me Partizanin.

VALENTINO MURATAJ (BYLIS); 8 kartonë të verdhë, 1 i kuq – Mesfushori, i cili ka luajtur edhe si sulmues krahu, këtë sezon e ka të parin në elitën e futbollit shqiptar. Dëshirën e ka të madhe për të treguar vlerat, ndërkohë që shiriti i kapitenit edhe e ka ngarkuar me përgjegjësi. Paraqitjet kanë qenë të mira, por ka provuar shpesh të ndëshkohet, kryesisht me kartonë të verdhë.

THEOPHILUS SOLOMON (PARTIZANI); 3 kartonë të verdhë, 2 të kuq – Gola ka shënuar sa të verdhët e marrë, edhe pse është sulmues. Theophilus Solomon, këtë sezon ka ndëshkuar Tiranën dhe fitoi zemrat e tifozëve të kuq, por më pas ka përfunduar në shënjestër. Në statistikat e bij nuk mund të mos bien në sy dy kartonë të kuq, kundër Flamurtarit dhe Kukësit. /abcnews/