Të enjten e ardhshme, më datë 21-korrik, në orën 21:00, Vllaznia zhvillon ndeshjen e parë ndaj Universitatea Kraiovës, për raundin e dytë të Conference League.

Kjo sfidë do të luhet në një nga stadiumet më moderne në vendin tonë, siç është “Loro Boriçi”. Kjo është hera e tretë që Vllaznia zhvillon një ndeshje të kompeticioneve europiane në këtë stadium, pas atyre të vitit të kaluar ndaj Shiroki Brijeg dhe ndaj AEL Limassol.

Kështu, ky fakt që bëhet fjalë për një ndeshje europiane, është bërë një shtysë që tifozët të nisin menjëherë organizimet në rrjetet sociale për të qenë sa më të shumtë në stadium në atë ndeshje.

Prania sa më e shumtë e tifozëve në stadium, do të ishte edhe një ndihmë e konsiderueshme ekonomike për klubin. Para disa ditësh, Vllaznia ka publikuar edhe detajet mbi çmimet e biletave, teksa ato variojnë nga 3000, 1000, 500 dhe 200 lekë në tribunat e ndryshme të stadiumit “Loro Boriçi”.
Maringlen ZHIVANI