E gjithë vëmendja në këto ditë ka qenë për dy skuadrat fituese të gjysmëfinaleve të “Final Four”, të cilat të dielën e ardhshme do të ndeshen për titullin kampion në Superiore. Por para saj, pikërisht të premten, në “Air Albania” luhet një ndeshje pa asnjë vlerë mes Skënderbeut dhe Vllaznisë.
“Finalja e vogël” në teori do të ishte ajo që do të përcaktonte se cila mes dy humbëseve të gjysmëfinaleve do të shkonte në Ligën e Konferencës., Por dënimi i Skënderbeut nga UEFA ka bërë që dueli mes korçarëve dhe Vllaznisë që zhvillohet në “Air Albania” të mos ketë asnjë lloj vlere përtej atyre statistikore.
Dy skuadrat u ndeshën vetëm pak ditë më parë, në ndeshjen e javës së fundit të kampionatit dhe Vllaznia u paraqit me ekipin e të rinjve, duke menduar që të kursente lojtarët për “Final Four”. Këtë herë të dy ekipet mund të bëjnë të njëjtën gjë, pasi sfida nuk ka asnjë lloj vlere për ta.
Për më tepër, nuk pritet as të ketë prani të madhe nga tifozeritë, pasi çmimet e biletave për këtë ndeshje larg qyteteve përkatëse janë stratosferike për tifozët e thjeshtë, teksa nisin nga 1 mijë lekë pas porte, për të arritur deri në 5 mijë lekë në tribunën VIP, meqë ideatorët në FSHF kishin bindjen e plotë se skema do të kishte sukses dhe do të kishte fluks të lartë tifozësh për të gjitha ndeshjet.