Ndeshja e pas dy ditëve në mes Lushnjës dhe Vllaznisë pritet me shumë interes. Padyshim që të dy ekipeve u intereson vetëm fitorja.

Vendasve për ta mbajtur veten ende në lojë ndërsa miqve nga Shkodra për t’i mbushur mendjen vetes se vendi i tyre nuk është aty ku janë sot. Por përveç sfidës së dy ekipeve në fushë, do të jetë një ballafaqim edhe në pankina.

Hysen Dedja si shkodran që është mund ta ketë disi më të lehtë për të studiuar kundërshtarin ndonëse nuk njeh as mënyrën e të luajturit as aftësitë e lojtarëve që janë sot pjesë e Vllaznisë.

Avantazhi i tij është se skuadra e Lushnjës po kalon një moment të mirë sepse vjen pas dy barazimesh ku në fakt ka bërë paraqitje të mira dhe ka qenë pranë fitores.

Nga ana tjetër, Ernest Gjoka nuk është në të njëjtat pozita. Vllaznia vjen pas dy humbjesh dhe ana psikologjike e futbollistëve është zero. Në këto rrethana, padyshim që sfidën do ta vendosin edhe trajnerët.

Kush do ta vendosë më mirë skuadrën në fushë, kush do të dijë t’i motivojë ashtu si duhet futbollistët, apo dhe skemat që do aplikojë, do të vendosin fatin e këtij takimi që duhet fituar patjetër.

Barazimi nuk i bën punë askujt dhe prandaj Dedja e Gjoka e dinë mirë këtë gjë.
© shkodrasport.com