Ky moment i sezonit është periudha, në të cilën ka vend për të bërë llogaritë. Një laps dhe letër, për të bërë llogaritë, bazuar në klasifikimin aktual. A do ia dalë Vllaznia në fund të futet në kupat e Europës, apo do të përmbyset situata dhe ata do jenë jashtë çdo lloj objektivi?

Shumë prej këtyre pyetjeve i ngre çdo sportdashës shkodran, tifoz ose jo, për të tentuar të bëjë një prognozë të sezonit.

Në fakt, në ndeshjet e fundit, situata është komplikuar ndjeshëm, kur dihet se sa e ngjeshur është gara për vendet e para të tabelës. Gara për Europën, duket mision i mundshëm, megjithatë, në Shkodër nuk janë fort të qetë, nisur edhe nga rezultatet e fundit të Vllaznisë.

Në të tilla kushte, situata në kampin kuqeblu, është e rënduar. Kjo për faktin, se pikët e lëna ndeshjen e fundit në Rrogozhinë ndaj Egnatias, kanë zvogëluar paksa mundësinë e kapjes së zonës europiane përmes kampionatit, megjithatë kurrë mos thuaj kurrë, pasi janë për t’u luajtur edhe 9 javë deri në fundin e kampionatit.

Situata akutale që po kalon Vllaznia, kërkon patjetër të analizohet me shumë kujdes dhe seriozitet nga presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi, i cili në bashkëpunim me stafin teknik dhe futbollistët, duhet të mos lejojë hedhjen në erë të shumave marramendëse të financuara për projektin e pretendimit të një Vllaznie për titull dhe më e pakta për Kupat e Europës.
Maringlen ZHIVANI