Tek Akademia Vllaznia priten ndryshime trajnerësh. Kështu, drejtuesit e Akademisë dhe të klubit kuqeblu duket se nuk kanë qenë të kënaqur me punën e disa trajnerëve të grupmoshave të Vllaznisë këtë sezon dhe prandaj, në ditët në vijim pritet të ketë ndryshime të konsiderueshme. Ndryshime pritet të ketë edhe në rradhët e drejtuesve të lartë, teksa klubi është në tratativa me një turk për ta vendosur si drejtor të Akademisë Vllaznia.

Në fakt, ecuria e disa prej ekipeve nuk ka qenë e duhura. Kjo gjë sigurisht që lë vend për ndryshim dhe tashmë duhet pritur se çfarë do të ndodhë. Po ashtu, përvec kësaj, pas emërimit të Elvis Plorit si drejtor sportiv, postin e trajnerit të ekipit U-21 e ka marrë Vioresin Sinani, teksa deri më tani ky është i vetmi ndryshim që është bërë në rradhët e trajnerëvë.

Në këtë aspekt, me shumë siguri për sezonin e ri tek Akademia Vllaznia do të kemi tre-katër lëvizje trajnerësh. Po kush do të jenë ato? Për momentin, nuk mund të thuhet asgjë, por ndoshta në ditët në vijim, më konkretisht në fillimin e muajit gusht, atëherë kur do të nisin edhe përgatitjet për sezonin e ri, do të mësohet më shumë në lidhje më këtë gjë për të mësuar emrat konkret që do drejtojnë ekipet zinxhir të Vllaznisë.

Vitet e fundit kanë munguar lojtarët cilësor nga akademia Vllaznia, futbollistë që mund të bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar me të rriturit apo edhe në ekipet e huaja. Aktualisht një klub model për prodhimin e futbollistëve të rinj cilësor që i ka shfrytëzuar për disa sezone dhe më pas i ka shitur në ekipe të tjera duke siguruar të ardhura të majme është vetëm Tirana. Shpesh herë ekipet e akademisë në Shqipëri mburren vetëm me tituj e trofe duke harruar se arsyeja kryesore për të cilën ekzistojnë është prodhimi i elementëve cilësor për skuadrat e para.(Marrë nga Star Plus TV)