Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka arritur një fitore të rëndësishme pasditen e sotme ndaj Partizanit në ndeshjen e rradhës për kampionat, por duhet thënë se fitorja nuk ka qenë aspak e lehtë.

Ndonëse ekipi shkodran e ka udhëhequr takimin nga fillimi e deri në fund, në fakt tensioni nuk ka munguar gjatë zhvillimit të tij.Në kampin e kuq trajneri Arben Fagu është parë të jetë shpeshherë të jetë i nervozuar dhe gjyqtarët i kanë dhënë teknik në një moment.

Por momenti më interesant i ndeshjes ka ndodhur në periodën e katërt, gjatë së cilës janë larguar nga fusha e lojës plot 4 lojtarë të Vllaznisë dhe bashkë me to edhe një i Partizanit.

Ka qenë një moment loje kur amerikani i Vllaznisë Malik Carter ka një zënkë me njërin prej amerikanëve të Partizanit që reagon keq dhe situata tensionohet.

Në këtë moment, tre prej lojtarëve të stolit të ekipit shkodran janë futur në fushën e lojës, për të shkuar pranë shokut të tyre të ekipit, por kjo bie ndesh me rregulloren.

Për këtë arsye, menjëherë pas qetësimit të gjakrave, tre abitrat janë mbledhur dhe kanë dhënë vendimet. Carter dhe lojtari i Partizanit janë dërguar në dhomat e zhveshjes.

Por jo vetëm ata. I njëjti vendim është marrë edhe për tre lojtarët e tjerë të Vllaznisë, kapiteni Erjon Llazani, Antonio Shabanin dhe Niko Tinajn të cilët hynë në fushë.

Në këtë mënyrë pa katër lojtarë, u krijua njëfarë tensioni në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” por Partizani nuk kishte kohë për të përmbysur shifrat dhe e ka pranuar humbjen ndaj Vllaznisë.

Megjithatë veprimi i treshes së pankinës që u fut në fushë, solli edhe reagimin e trajnerit Plantak që nuk u pajtua kurrsesi me të dhe prandaj ka reaguar ashpër ndaj lojtarëve të tij.
© shkodrasport.com