Tension te Skënderbeu para ndeshjes kundër Laçit. Trajneri Migen Memelli ka pezulluar sulmuesin Elvi Berisha.

Duket se ka mjaftuar një postim në rrjetet sociale nga Berisha për të ndërtuar një tymnajë në kampin bardhekuq.

Pak ditë më parë, lojtari i Skënderbeut ka postuar një ‘story’ në profilin e tij, postim i cili nuk i ka pëlqyer aspak drejtuesve bardhekuq, të cilët vendosën që të pezullojnë për këtë javë për arsye disiplinore lojtarin.

Një gjë e tillë konfirmohet nga vetë trajneri Memelli, i cili pranon se Berisha është pezulluar për shkaqe të thyerjes së disiplinës së ekipit.

Menjëherë pas këtij pezullimi, gazeta ka kontaktuar me lojtarin bardhekuq i cili ka treguar versionin e tij për këtë ndodhi, duke thënë se ai postim ishte thjesht një shfryrje nervash për humbjet e fundit dhe pozicionin e ekipit në renditje dhe nuk i drejtohej askujt, as trajnerit, as stafit, as klubit.

“Të them të drejtën jo vetëm unë por të gjithë lojtarët po vuajmë pak ndeshjet e fundit për shkak të humbjeve. Rezultate të cilat kanë shkaktuar ngarkesë psikologjike te ne. Ai status nuk ka qenë për askënd, jo vetëm për trajnerin por për asnjë person tjetër.

Ishte thjesht një shfryrje e nervave si pasojë e ngarkesës psikologjike dhe një shprehje që shpesh më motivon për t’u ringritur. Nuk kam pasur qëllim të fyej apo të cenoj askënd, nëse është marrë kështu, nuk ka qenë ai qëllimi, për këtë jam i sinqertë.

Unë gjithmonë kam respektuar dhe do të respektoj zgjedhjet e trajnerit, pasi është ai që vendos se kush luan dhe kush jo. Për këtë nuk ka dhe s’ka për të pasur diskutime”, sqaroi përmbajtjen e atij statusi, Elvi Berisha.