Nga një derbi në tjetrin, nga ai i kryeqytetit te ai i Shqipërisë, e shtuna sjell Vllaznia-Tirana, sfidën mes dy skuadrave më me traditë në vend, dhe mbi të gjitha dy prej pretendenteve kryesore të këtij edicioni.

Në “Loro Boriçi”, e karikuar dhe nga mbështetja e tifozerisë për një ndeshje që ata e ndiejnë veçanërisht, skuadra e Thomas Brdaric kërkon të reagojë menjëherë pas humbjes me Kukësin, do t’ju duhet të japin maksimumin, luajnë ndaj Tiranës kryesuese të kampionatit, që sapo ka fituar ndaj Partizanit dhe shkon me shumë vetëbesim në Shkodër.

Pas 3 fitoreve radhazi, bardheblutë e Orges Shehit kërkojnë të stabilizojnë vazhdimësinë për një seri që konfirmon ambiciet e tyre madhore, sfida në “Loro Boriçi” është një provë më vete, përballë një Vllaznie që shprehet bukur dhe të lejon të luash futboll, për të përvijuar një sfidë krejt ndryshe nga ajo e derbit të kryeqytetit.

Për Orges Shehin nuk do të jetë Najdovski, dhe trajneri duhet të rikonfigurojë mbrojtjen që pritet të rreshtohet me 4, ndërsa në sulm projektohet tredhëmbëshi me Xhixhën, Ngoo dhe Taulant Seferin.

Thomas Brdaric në krahun tjetër pret që Vllaznia e tij të mos përsërisë gabimet që e ndëshkuan ndaj Kukësit, përqendrimi dhe motivimi janë një aspekt që e garanton vetë rëndësia dhe historiku i sfidës, një mungesë me peshë edhe në kampin shkodran, ajo e kapitenit Gurishta, por ndërkohë rikthehet Krymi, mungesa e të cilit u ndie jo pak në sfidën me Kukësin.

Për krye-ndeshjen e javës, pritet edhe një atmosferë e denjë për eventin në “Loro Borici”, me shpresën që Vllaznia dhe Tirana të dhurojnë një sfidë të bukur në një kampionat ku po kristalizohen si protagonistet kryesore në luftën për titull.