Skuadra e Kukësit është në një moment shumë delikat të sezonit, pasi po lufton me Vllazninë për një vend Kupat e Europës, më konkretisht për një biletë në kompeticionin më të ri europian, UEFA Conference League. Aktualisht, verilindorët mbajnë vendin e katërt që të çon në këtë kompeticion, por kanë pikë të barabartë me Vllazninë (52).

Kukësi do të luajë një sfidë të vështirë kundër Tiranës kampione në transfertë, që do të synojë ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme para tifozëve të saj. Kur sezoni është në një moment kaq vendimtar, te Kukësi ka tension shumë të madh, por jo vetëm për objektivin…

Në ndeshjen kundër Skënderbeut, që u luajt para dy ditësh, tensioni u pa qartë te lojtarët që u zëvendësuan te Kukësi. Fillimisht ishte Krniç ai që u mërzit kur u ul në pankinë.

E njëjta situatë ndodhi edhe me Vitor Feijao pas zëvendësimit, ndërsa kapiteni Gjelbrim Taipi, u largua direkt e në dhomat e zhveshjes, duke mos qenë aspak i lumtur me trajnerin e tij që e zëvendësoi.

“Newsport” mëson se te Kukësi ka pasur tension prej kohësh dhe këto shenja nervozizmi publike të verilindorëve, vijnë për shkak të situatës së akumuluar të javëve të fundit, ku shumë lojtarë nuk flasin me njëri-tjetrin e shumë prej tyre nuk janë dakord me zgjedhjet e trajnerin Longo. Duket se teknikut italian, situata i ka dalë nga kontrolli…/newsport/