Tërbuni “blindon” titullarët e parë. Pukjanët kanë arritur akordin me disa nga futbollistët që mbyllën sezonin e fundit. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” edhe vetë drejtori teknik.

Viktor Gjoni pohon se pjesë e ekipit do të vazhdojnë të jenë emra si Metani, Hithi, Zagani, Mezini, Miloti, Gjoka, Baholli, Hyseni, Mila dhe Keko.

Ndërkohë që, vazhdojnë bisedimet me portierin Demi. “Blinduam 10 të parët, por po presim edhe portierin. Tërbuni u ngjit në Kategorinë e Parë dhe meritë ka i gjithë grupi i lojtarëve, por veçanërisht lojtarët me të cilët arritëm akord rinovimi.

Ne kishim planifikuar ta grumbullonim ekipin nga data 5-10 korrik, por më pas u vendos që faza përgatitore të nisë më datë 15 të po këtij muaji.

Duhet që ekipi të fillojë sa më parë nga puna, pasi më 11 shtator do të startojë kampionati. Detyra ime si drejtor teknik është të bëj maksimumin për ekipin dhe të afroj sa më cilësi.

Jam në bisedime me disa futbollistë që kanë luajtur në Superiore, por edhe në të Parën. Ne nuk do të heqim dorë nga pukjanët, që aktivizohen në klube të tjera.

Çdonjëri prej tyre që shpreh dëshirën të afrohet në ekipin e vendlindjes, është i mirëpritur. Formula e kampionatit ka ndryshuar dhe ne do të ndërtojmë një skuadër që të mos e diskutojë mbijetesën, por të pozicionohet në katërshen e parë.

Pse jo, të synojë edhe elitën. Së fundmi, u bëj thirrje të gjithë biznesmenëve pukjanë të afrohen në skuadrën e Tërbunit dhe të kontribuojnë për ekipin e vendlindjes së tyre”, përfundoi Gjoni.