Real Madridi ka triumfuar, ashtu sikurse pritej, në finalen e Botërorit të Klubeve të këtij edicioni. Bollëk golash në kryeqytetin maroken, ku u zhvillua ndeshja e “Los Blancos” ndaj Al Hilal, plot 8 të tillë.
Tri dopieta brenda kësaj sfide, me autorë Vinicius Junior dhe Valverde për madrilenët dhe Vietto për sauditët. Rezultati final ishte 5-3 për skuadrën e Ancelottit, për ngjyrat e të cilës realizoi në këtë finale edhe Benzema. “Los Blancos” e kanë fituar garën 5 herë, dy më shumë se çdo klub tjetër.
Kronika dhe golat e ndeshjes
Real Madridi e ka nisur vrullshëm finalen e Botërorit të Klubeve, duke realizuar dy gola të shpejtë ndaj sauditëve të Al Hilal. Në minutën e 13-të ka zhbllokuar shifrat Vinicius Junior, pastaj ka dyfishuar Valverde në minutën e 18-të.
Kujtojmë se Carlo Ancelotti vuri bast me Valverde në verë që nëse nuk do të shënonte 10 gola këtë sezon, do të tërhiqej… Valverde sapo shënoi golin e 10-të të sezonit dhe e festoi me trajnerin italian.
Praktikisht, që këtu duket një ndeshje pa histori, me “Los Blancos” që kanë epërsi në të gjitha aspektet sportive karshi kundërshtarit.
Qysh në minutën e 7-të u dha përshtypja e golit. Gjyqtarët sinjalizojnë Benzema në pozicion jashtë loje, teksa mori një pasim të saktë nga Carvajal. Francezi ishte pak përpara mbrojtjes saudite.
Goditja është e fortë për Al Hilal, por jo likujduese. Sauditët kanë reaguar dhe e kanë ngushtuar rezultatin në minutën e 26-të. Marega ka tundur portën madrilene, duke e hapur fatin e kësaj finaleje që ka nisur “zjarr” nga të dyja palët.
Pjesa e dytë ka nisur me një “muzikë”, atë të madilenëve. Dy gola të tjerë, po aq të shpejtë sa në gjsymën e parë të 45 minutave nga Benzema 54 dhe Valverde 58′.
Uruguajani kompleton kësisoji dopietën personale në këtë fin dhe e mbyll “de facto” historinë e ndeshjes, sepse rezultati shkon 4-1.
Sauditët kanë limitet e tyre, ndaj nuk mund të pretendojnë të bëjnë shumë në një disavantazh të tillë. Minutat e mbetura duken si formalitet, në pritje të dorëzimit të trofeut për Real Madridin dhe kurorëzimin e tij si klub kampion bote.
Njësoj si në pjesën e parë, pasi ka pësuar dy gola radhazi, Al Hilal ka “pickuar” me reagimin e vet. Kështu, në minutën e 63-të, Vietto ka ngushtuar shifrat në 4-2.
Menjëherë “Los Blancos” nuk i dhanë minuta gëzimi sauditëve, qoftë edhe për ndonjë iluzion, duke shënuar golin e pestë me Vinicius Junior, duke e bërë punë të kryer fatin e trofeut edhe këtë edicion. Dopietë personale edhe për brazilianin, ashtu si Valverde.
Vietto, nga ana tjetër, gjen golin e dytë personal në këtë finale në minutën e 79-të, duke e ndryshuar rezultatin në 5-3. “Festival golash” në finalen e Botërorit të Klubeve të këtij vitit.