Stiven dhe Kristian Shpendi po bëhen pak nga pak emra shumë të njohur në futbollin italian. Sidomos Stiven, i cili po shënon me rregullsi te Çezena, ku luan bashkë me vëllain e tij binjak, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve me emër të madh në Itali, të cilët po e ndjekin ecurinë e shqiptarëve.

Një rrugëtim i veçantë i dyshes shqiptare, i cili ka nisur që në kategoritë e ulëta dhe për të shpërthyer në futboll, dilnin që në mëngjes për të shkuar në shkollë e ktheheshin në shtëpi vetëm në darkë pas stërvitjeve.

“Shkoja në mëngjes në shkollë dhe në orën 13:40 ishte autobusi i klubit që na merrte për të na çuar në stërvitje, duke na kthyer në darkë pas stërvitjeve”, u shpreh Stiven Shpendi në një intervistë të dhënë për “Il Resto del Carlino”.

“A më kanë peshuar këto sakrifica? Cilat sakrifica?! Kur ka pasion, sakrificat nuk i ndien. Për dy vite kam bërë vajtje-ardhje në Çezena nga shtëpia ime, por këtë vit po qëndroj në qytet. Më mungojnë pak shokët e skuadrës së të rinjve, pasi kisha një lidhje të ngushtë me ta.

Shpesh dëgjohemi, i ndjek gjithmonë, por duhej bërë ky hap i madh”, thotë më tej sulmuesi që ka kaloi këtë fillimsezoni nga ekipi i të rinjve, ku u shpall edhe golashënuesi më i mirë në ekipin e parë të Çezenës, që garon në Kategorinë e Tretë italiane.

PËRBALLJA ME SERINË C- “Në fillim ishte e vështirë për shkak të ndryshimit në nivelin fizik dhe psikologjik. Por u mësova dhe gjithçka u përmirësua. Gabimet para portës më kanë ndihmuar për të kuptuar ku gaboja. Pastaj duke ndier gjithmonë besimin e trajnerit më ka qetësuar”, tha djaloshi shqiptar, i cili ka shënuar 5 gola në 3 ndeshjet e fundit në Serinë C.

MARRËDHËNIA ME KRISTIANIN- Stiven ka në ekip edhe vëllain e tij Kristianin, që po ashtu luan në rolin e sulmuesit: “Një lidhje unike, ndihemi mirë, jemi bashkë gjithmonë, në fushë, në dhomat e zhveshjeve dhe jashtë”, tregoi sulmuesi shqiptar, i cili ashtu si vëllai i tij, pritet të jenë pjesë kryesore e brezit të ri U-21 të Shqipërisë.