Dinamo humbi 0-2 ndaj Kukësit dhe vazhdon të gjendet në vendet e fundit në renditje. Në përfundim të kësaj sfide, për mikrofonat e “Super Sport” ka folur trajneri i kryeqytetasve, Bledar Devolli.

“S’kemi bërë një ndeshje të mirë sot, për meritë të kundërshtari por dhe terreni nuk është fort i mirë. Na ndëshkuan episodet. Ata i patën në favor. Kur shkelnim zonën, dilte o si binte mirë topin etj. Kemi treguar rritje nga ndeshja në ndeshje, nga kjo situatë kalohet vetëm me punë. Të gjithë jemi të mërzitur.”

“Duhet të vazhdojmë punën. Sabieni është shumë i rënduar sepse ka bërë shumë ndeshje këto dit dhe ma kërkoi vetë. Denisoni gjithashtu. Ndeshja ka plot dhe presim që Imami të kthehet, dhe unë ta kem më të vështirë për zgjedhjen. Pastaj varet dhe nga kundërshtari.”

“Në këto ndeshje jemi rritur. Sot bëmë një ndeshje jo të mirë, terreni nuk na lejoi të bënim një lojë të rrjedhshme. Do ulim kokën të punojmë dhe do vijnë dhe rezultatet.”

Aludime për trajner nga Italia?

“Nuk më shqetëson, nuk e kam problem. Nuk dua që fjalët e shpisë t’i nxjerrim në Pazar. Mua nuk më shqetëson. Atë që flas me drejtuesit nuk e them. Unë jam i fundit që dorëzohem.”

Mbrojta tek goli i parë

“Mbrojta qe pak larg me mesfushën, por gjatë javës do i analizojmë ndeshjen dhe do eliminojmë gabimet.”