Kristiano Ronaldos nuk po i shkon asgjë mbarë në vitin e tij të parë në Arabinë Saudite. Forma e tij po lë për të dëshiruar në periudhën e fundit dhe paraqitjet e skuadrës e reflektojnë.

Pas humbjeve në kampionat që tashmë bëjnë thuajse të pamundur fitoren e titullit, ka ardhur edhe eliminimi nga Kupa e Mbretit, përballë një skuadre shumë më inferiore.

Al Nasr luante në gjysmëfinale përballë Al Uehda, ekip i cili gjendet në zonat e ulëta të klasifikimit të kampionatit arab dhe lufton për mbijetesën. Por sot, përballë Ronaldo & Co., kjo skuadër bëri shumë mirë, duke shënuar në pjesën e parë me Boigël, e pastaj duke u mbrojtur me kujdes për të shmangur barazimin e kundërshtarëve.

Ronaldo shpërdoroi disa mundësi të mira, teksa goditi edhe traversën, por nuk ia doli që të shënonte në këtë sfidë, duke treguar se nuk është në momentin e tij më të mirë.

Ndeshja e sotme ishte e treta radhazi që skuadra e tij nuk fitonte. Por kjo kishte një shije më të hidhur, pasi Al Nasr u eliminua me humbjen 0-1 dhe humbi mundësinë që të sillte një trofe në këtë edicion për futbollistin portugez.