Vetëm 19 vjeç ka qenë kur ka ndërmarrë një inisiativë që ndoshta as vetë nuk e kishte menduar. Vendosi të linte Shkodrën e t’i drejtohej Lezhës për të luajtur atje me Besëlidhjen dhe prej atij momenti nuk është larguar më prej atje.

Klejdi Dibra po mbyll sezonin e tij të tetë me këtë skuadër dhe ky mbase mund të jetë një “rekord” për një “jananxhi” që luan në një qytet tjetër, por vetë ai nuk është ndjerë asnjëherë i tillë. Për vetë afërsinë në mes dy qyteteve por edhe për pritjen shumë të mirë që i kanë bërë dhe respektin që kanë treguar ndaj tij. Jo më kot, i kanë dhënë edhe shiritin e kapitenit.

Nesër Besëlidhja luan në fushën e vet ndaj Vllaznisë dhe nëse në tre ndeshjet e kaluara nuk ka arritur dot ta mundë, shpreson që këtë gjë ta bëjë këtë herë. Atë e premton edhe Dibra në intervistën e mëposhtme dhënë për “Shkodra Sport”:

– Dibra, nuk ia keni dalë në tre ndeshjet e tjera ta mundni Vllazninë. Do e bëni këtë nesër?

– Ne kemi arritur të barazojmë një herë në Shkodër me Vllazninë dhe ajo na ka mundur dy herë. Por besoj se këtë herë është rradha jone të fitojmë.

– Keni objektiv të mbani vendin e dytë deri në fund?

– Po, objektivi jonë është vendi i 2-të pasi Vllaznia e ka siguruar vendin e 1-rë. Kemi bërë një sezon të mirë pavarësisht se Vllaznia ka gabuar më pak se ne, por e meritojmë të jemi pas saj.

– Ju po mbyllni një tjetër sezon në Lezhë, të tetin rradhazi. Çfarë ju ka lidhur kaq ngushtësisht me këtë qytet dhe me këtë skuadër?

– Më kanë lidhur kaq ngushtësisht me këtë qytet dhe këtë skuadër tifozëria e mrekullueshme lezhjane por edhe presidenti i klubit i cili është treguar shumë korrekt me mua.

– Nuk je mërzitur asnjëherë?

– Jo, përderisa vazhdoj të jem ende pjesë e Besëlidhjes. Duke u ndjerë mirë në këtë ambjent dhe duke qenë afër shtëpisë, nuk ka pse të mërzitem.

– Ju ka ngacmuar ndonjëherë ideja për të qenë pjesë e Vllaznisë?

– Kam pasur kontakte edhe me Vllaznin para 2 sezonesh po nuk ramë dakort.

– Mund të ndodhë sërish?

– Të shohim nëse më kontaktojnë.
© shkodrasport.com