Vllaznia do ketë ditën e sotme një transfertë shumë delikate në kampionat. Shkodranët udhëtojnë drejt Durrësit, për tu ndeshur me vendasit e Teutës, takim i vlefshëm për javën e 24-të të kampionatit. “Djemtë e detit” po kalojnë një super formë, që me ardhjen e Martinit në krye të pankinës.

E sot, trajneri shkodran pret që të vijojë formën e mirë të skuadrës së tij e duket se ka përgatitur edhe planin dhe formacionin ndaj kuqebluve. Kështu në portë pritet Qirko, ku vlonjati u shpall edhe si lojtari më i mirë i muajit shkurt para pak ditësh.

Në mbrojtje nga e djathta pritet si zakonisht Marku e ndërsa në të majtë Kotobelli. Qendrën e këtij reparti pritet ta formojnë dyshja Kuouros-Jazxhi.

Në mesfushë një fanellë titullari duket për E.Vilen, që po kalon një rini të dytë me formën e treguar së fundmi. Krah durrsakut vend në formacion pritet të ketë edhe për Beqjan dhe Kallakun. Ku ky i fundit është golashënuesi më i mirë i Teutës këtë sezon deri më tani. Mungesa e madhe në formacionin e Teutës do jetë Ildi Gruda, që do vuajë kartonin e kuq të marrë me Tiranën.

Vendin e shkodranit pritet ta zërë Oshafi në sulm. E ndërsa krah beratasit priten edhe Gjinollari edhe Lorenco Vila. Ky pritet të jetë edhe formacionin titullar i Edi Martinit. Në një duel që pritet me mjaft interes në orën 16:00 , në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Endri ÇINARI